Një nga perimet e mia të preferuara të vjeshtës është pa dyshim KUNGULLI, në të gjithë format dhe ngjyrat e tij. Sapo kungulli fillon e shfaqet në raftet e marketeve unë jam në fazën “ O zoooot kungull, sa mirë”, ndërsa familja ime është në fazën “Oboboooo kungull, e tmerrshme”, kjo ndodh sepse mendja ime fillon të mendojë për gatime tërësisht me kungull si supë kungulli, biskota me kungull, kek me kungull, tartë me kungull ( epo kjo shyqyr është e preferuara e tyre të paktën), etj
Gjithçka nisi para disa vitesh, kur fëmijët e mi ishin mjaftueshmërisht të rritur për të kuptuar se çfarë ishte Halloween dhe kur unë vendosa t’u blija një kungull të madh e ta dekoronim. Duke qënë se kungulli ishte shumë I madh dhe shumë I bukur mua më erdhi keq ta hidhja ndaj vendosa ta pastroj e ta pres në kuba për ta pasur për gatim. Nga ky moment e tutje, dekorimi I kungullit të Halloween u bë traditë edhe në familjen time dhe imagjinoni gëzimin tim tashmë, që nuk ankohet njeri për blerjen e një kungulli të madh në fund të tetorit, se në fund të fundit duhet për Halloween (ju nuk do nxirrni mua sekretin apo jo ).
Si çdo vit, në muajin Tetor, në shtëpinë time kemi gatime të ndryshme me kungull, duke filluar nga supa, lulet e mbushura të kungullit, biskota, ëmbëlsira, tarta etj…
Megjithatë, për të ndryshuar pak nga rutina e përvitshme, vitin e kaluar tentova një recetë ndryshe nga të zakonshmet, ose thënë më mirë një pije të ngrohtë me kungull. Po po, e lexuat mirë, një pije e ngrohtë me kungull.
Është një alternativë e shëndetshme (besoj) e cila të ngroh shpirtin dhe mendjen.
Dhe ja ku vjen receta ime, që shpresoj t’ju pëlqejë dhe juve.
Pije e ngrohtë me kungull për netë të ftohta vjeshte
Përbërësit
- • 250 gr kungull butternut (ose çdo lloj tjetër me tul të verdhë)
- • 1 kanaçe qumësht Noynoy (nunu), këtë mund ta zëvëndësoni edhe me 200 ml qumësht më yndyrë të plotë, por shija nuk do jetë e njëjta;
- • 300 ml qumësht më yndyrë të plotë
- • 2 lugë gjelle sheqer kaf ose më shumë nëse e preferoni të ëmbël
- • 1 lugë çaji kanellë
- • ¼ lugë çaji karafil pluhur
- • ¼ lugë çaji xhenxhefil pluhur
- • ¼lugë çaji allspice pluhur
- • Krem qumështi të ëmbël për servirje
Instructions
- Prisni kungullin e qëruar në kuba dhe vendoseni në një tavë të thellë.
- Shtoni 2 lugë gjelle ujë dhe mbulojeni mirë tavën me letër alumini.
- Piqeni kungullin për gati 30 minuta
- Pasi kungulli të jetë pjekur hiqeni nga furra dhe leri të ftohet disi (që mos dëmtoni blenderin).
- Këtë hap mund ta bëni edhe gjatë fundjavës, mjafton që ta ruani kungullin në frigorifer
- Hidhni kungullin e ftohur në blender, shtoni 2 llojet e qumështit, erëzat, sheqerin dhe miksojeni deri sa të bëhet një masë homogjene
- Kalojeni masën në një tenxhere të vogël duke e kaluar paraprakisht në një sitë që të hiqni mbetjet e trasha të kungullit. Ngroheni lëngun, por pa arritur në vlim
- Ndajeni midis 4 filxhanëve, shtoni pak krem qumështi të ëmbël dhe spërkasni pak kanellë mbi secilën gotë. Shijojeni pijen sa është ende e ngrohtë dhe pse jo ta shoqëroni edhe me ndonjë biskotë me kungull
Leave a Reply