Pazare me Nevilën- Dita e pestë

Pazare me Nevilën- Dita e pestë më kushtoi gjithsej 1,205 lek. Edhe kjo ditë renditet në ditët me një shpenzim të vogël. Në fakt ishte një ditë e shfrytëzuar mirë në aspektin e gatimeve që zgjodha të bëj. Biles, e besoni apo jo, pata buxhet për të gatuar edhe minikekë me mollë.

Mëngjesi nisi me vezë të gatuar me djathë. Në fakt nuk di nëse kemi një fjalë në shqip për këtë lloj veze pasi psh në anglisht quhet scrambled, por nuk di si ta gjej përkthimin e duhur. Thjesht e fërgova me djathë e pak gjalpë dhe e shoqërova me kastravec.

Dreka ishte supë kremoze me mix bizelesh të thara. Një qese me legume të thata që më rezultoi të ishte super e shijshme.

• 200 g bizele mix
• 2 l gjelle masë qepë-domate-spec të bluara në mikser
• 5 gota ujë
• kripë sipas dëshirës
• 150g kuba pançete.

Ziejmë bizelet me ujë dhe kremin e perimeve deri sa të zbuten. Shtoni ujë sipas nevojës. Sapo të jenë zbutur (rreth 30 minuta) i kalojmë në blender dore nga ata që zhyten deri sa supa të bëhet kremoze. Në një tigan pa vaj skuqim pançetën sa të bëhet kërce dhe të ketë lëshuar vajin. Ndajmë supën nëpër 4 pjata dhe mbi to sistemojmë pak pançetë dhe pak nga vaji që ka lëshuar (ndaj në supë nuk ju nevojitet të shtoni vaj ulliri)

Ëmbëlsira ishte e thjeshtë. Me vetem 2 kokrra mollë e pak përbërës të thjeshtë e pa vezë, u sajuan këto minikekë. Fantastikë për të shoqëruar kafen e pasdites, por akoma më të mira për t’u konsumuar në mëngjes.

Receta si vijon:

Për minikekët:
• 1 mollë (1/4 e saj e grirë, tjetra me copëza)
• 2 kupa (265g) miell
• 1 l çaji sodë
• 1/3 kupë vaj luledielli
• 1/2 l çaji kripë
• 1 kupë (180g) sheqer kallami ose sheqer kaf
• 2/3 kupë qumësht
• 1 l gjelle uthull
• 1 l gjelle kos
• 1 l çaji kanellë.

Ndezim furrën në 180°C. Përziejmë qumështin me uthullës e kosin. Në një tas trazojmë mollën e grirë, vajin, qumështin me kos, sheqerin. Pastaj shtojmë të thatat dhe mollën me kanellë. I trazojmë vetëm sa bashkohen dhe i hedhim në tavë për muffins. I pjekim për 20-25 min sa të kenë kulluar.

Cous cous ishte darka jonë e asaj dite. Gatuajeni atë sipas paketimit. Prisni perimet në copa të vogla.Unë kisha avokado, domate, kastravec, majdanoz, limon e qepë të njoma. Pastaj rregulloni shijen me kripë, vaj ulliri e uthull dhe darka është gati.

Nëse dëshironi ta pasuroni shijen, mund të shtoni fileto pule ose karkaleca. Kombinimi do jetë i shkëlqyer.

Nëse keni humbur ditët e mëparshme, i gjeni këtu, këtu dhe këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading