Gara ime e parë e pastiçerisë

Javën që shkoi mora pjesë për herë të parë në një konkurs pastiçerie. E mora me shumë dëshirë pasi doja në rradhë të parë të provoja veten time e në rradhë të dytë të shihja se çfarë do katranosja.

Dita nisi me një gjobë për parkim të gabuar. Ok mendova, nuk do ta lë këtë gjobë të më prishë ditën (edhe pse mu duk pak e pa drejtë të haja një gjobë në një rrugë dytësore brenda lagjeje e pa tabela po nejse). U nisa për tek Instituti I Kulinarisë Neranxi e motivuar dhe gati për konkurs.

Pasi u bëmë gati me produktet dhe intervistat e rradhës, filloi dhe konkursi, më në fund. Nga nxitimi, fap, bëra edhe një gabim që nuk më falet. Mos, thashë, si ka mundësi që bën një recetë pandispanje në shtëpi me sytë mbyllur dhe aty ku duhet ia fut gabimit??!!!!

Do mendoni ju çfarë gabimi bëre, epo teknikisht duhet ta nisja punën duke bashkuar gjalpin me sheqerin deri sa të bëhej një masë kremoze e më pas të shtoja vezët. Unë e nisa me vezët dhe sheqerin dhe pastaj hodha gjalpin. Nejse, gabimin e rregullova duke zgjatur kohën e trazimit, por kjo bëri që keku në fund të kishte më shumë aromë gjalpi sesa duhej.

Gabimi I dytë që pasoi ishte teprimi me lëngun e limonit në kremin që do përdorej për mbushje, gjë që bëri të mos më trashej kremi siç duhej. Sërisht e ndreqa disi duke përdorur niseshte, por shija e fortë e limonit ndihej aq shumë sa chef Onofrio vuri në dukje që aq shumë limon të digjte në fyt.

Humba aq kohë për sistemimin e kremit sa harrova që duhet të punoja pastën e sheqerit. Shpejt e shpejt bëra një flamingo (ok e pranoj, doli më tepër një mjelmë e shëmtuar) dhe e lashë në frigorifer për tu forcuar disi.  Fillova të formoj tortën duke mbushur çdo shtresë me krem gjalpi dhe me krem limoni. E lyeva pak dhe anash në mënyrë që pasta e sheqerit të ngjitej mirë.Vesha tortën me pastë sheqeri dhe në momentin që do vija flamingon sipër vura re që nuk qëndronte, ndaj improvizova duke vënë një kokërr limoni sipër. Në fakt kjo më penalizoi pasi nuk mund të vendosësh frut të freskët sipër një tortë me pastë sheqeri, më mirë do ishte të kisha vendosur në një farë mënyre flamingon e lodhur.

Gjithsesi, në fund të konkursit u ndjeva e kënaqur që ia kisha dalë të bëja një tortë nga fillimi deri në fund në aq pak kohë. Edhe pse ngjan pak si shprehje cliché, rëndësi pati pjesëmarrja dhe konkurrentët ishin aq të këndshëm sa kaluam vërtet me humor gjatë gjithë mbrëmjes së garës.

 

E në fund dua ta mbyll me një përgëzim për Kelën, konkurenten e cila realizoi tortën fituese .

Urime Kela, ishe vërtet fantastike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading