Këtë kek e përgatita për ditën e panairin të ushqimit në shkollën e djalit tim. Një vit më parë kisha përgatitur cheesecake me luleshtrydhe i cili pati shumë sukses. Sigurisht që edhe këtë vit nuk mund ta zhgënjeja.
Në kokën time filluan të vërshonin pafund ide se çfarë do i gatuaja…. pooor, kur pashë që ora po shkonte 23:00, e kuptova që koha nuk ishte në favorin tim ☺.
Kështu që përgatita një kek me dy ngjyra ( vanilje dhe kakao). Koha e përgatitje ishte shumë e shkurtër, por ajo që më hëngri më shumë kohë ishte vendosja në tavë. Kjo kërkonte pak kohë pasi duhej të hidhje 2 lugë gjelle nga brumi i bardhë e dy nga brumi kaf me rradhë njëra sipër tjetrës, ndaj sa të përfundonte brumi nga të dy tasat kaluan gati 20 minuta. Megjithatë, edhe pse atë natë përfundova në ora 01:00 ( dhe kjo sepse u kujtova vonë unë), suksesi i ditës pasardhëse ma shpagoi tërësisht lodhjen.
Sasia: 10 copa mesatare
Koha totale : 40 minuta pjekja dhe 25 minuta përgatitja
PËRBËRËSIT:
- 4 vezë
- 1 kupë sheqer
- 1 kupë qumësht
- 1 kupë vaj
- 2 lugë çaji (tsp) pluhur pjekës
- 1/2 lugë çaji (tsp) kripë
- 1 lugë çaji (tsp) vanilje ekstrakt
- 3 kupa miell
- 3 lugë gjelle (Tbsp.) kakao
- 3 lugë gjelle (Tbsp.) qumësht
Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:
- Ngrohni furrën në 180◦C
- Në një tas të madh hidhni vezët, vajin, sheqerin, vaniljen dhe me ndihmën e mikserit të dorës trazojini derisa të bëhet një masë kremoze.
- Në një tas tjëtër qelqi, hidhni miellin, pluhurin pjekës dhe kripën dhe trazojini pak sa të përzihen mirë.
- Shtoni 1/3 e miellit tek kremi I vezëve dhe vazhdoni trazimin me mikser.
- Shtoni qumështin dhe pjesën e mbetur të miellit dhe vazhdoni rrahjen me mikser deri sa brumi të jetë bërë homogjen.
- Në një tas të vogël fare, bashkoni 3 lugët e qumështit me kakaon dhe përziejini me lugë derisa kakao të mos jetë më me kokrriza.
- Ndani brumin e bardhë në dy tasa, në njërin prej tyre hidhni kremin e kakaos dhe miksojeni deri sa të ketë marrë ngjyrë uniforme.
- Në një tepsi rrumbullake (me diametër 26 cm) të lyer më parë me pak vaj dhe pak miell, hidhni në mes të tavës 2 lugë gjelle nga brumi I bardhë. Mbi diskun e krijuar të brumit, hidhni 2 lugë nga brumi me kakao.
- Vazhdoni kështu me rradhë, gjithmonë duke e hedhur brumin në mes të tavës dhe gjithmonë mbi njëri tjetrin dhe do vëreni që do krijohen rrathë me dy ngjyra, të bardhë dhe kafe.
- Piqeni kekun në furrën e para-ngrohur për gati 40 minuta ose deri sa maja e thikës të dalë e pastër.
- Pasi të jetë pjekur, hiqeni nga tava dhe lëreni të ftohet mirë përpara se ta prisni.
Leave a Reply