Ju kisha shkruar më parë si të bëni vegetë të tharë, por kësaj rradhe do ju mësoj si bëni versionin e njomë. E bukura e kësaj paste vegjetale me bazë perimesh është se mund ta personalizoni sipas dëshirës. Çfarë do të thotë kjo? Unë ju jap një ide se çfarë perimesh mund të fusni, por ju mund ti shtoni/pakësoni sipas dëshirës.
Çfarë do ju rekomandoja që të mos ndryshoni janë Pasta Miso dhe kërpudhat e thara. Këto të fundit mund ti bëni vetë tani duke qënë se eshte sezoni i kërpudhave porçini. Ja metoda si ta bëni vetë. Të dyja këto japin atë shijen umami.
Perimet e tjera pastaj janë totalisht të këmbyeshme sipas dëshirës.
Pak kujtesë. Do ju flas për Miso Paste. Mund ta ndeshni herë pas here tek recetat e mia, por çfarë është Miso? Miso është një lloj kremi i përftuar nga fermentimi i sojës me një farë që quhet Koji. Kjo e fundit është një tip myku që kultivohet prej orizit apo elbi apo soja.

Shija
Ka një shije të veçantë, ajo që quhet Umami (shija e 5 pas të kripurës, ëmblës, thartës, hidhurës ). Është e kripur dhe ndihet aroma e sojës (salca e sojës nëse mund ta perceptoni). Miso është një përbërës kryesor në kuzhinën Japonese por që në kohët e sotme përdoret kudo në botë. Më në fund mund ta gjejmë edhe në Shqipëri.
Ka lloj lloj misosh, por dy më tipiket janë:
🔹️ Mugi Miso. Është më e fortë në shije, më e kripur dhe e preferuara ime 🤗. Përgatitet nga elbi, pra myku i elbit. Është kjo që shihni në këtë foto. Mison e errët e kam blerë te @baronesha


🔹️Shiro miso apo miso e bardhë. Është më pak e fermentuar dhe më e lehtë në shije. Kjo dallohet dukshëm si në ngjyrë ashtu edhe në shije. Këtë paketim (shiro miso) e kam blerë tek @neranxi_organicmarket
Nga të gjithë përbërësit e recetës sot, miso ishte pak më e veçanta, ndaj dhe ju shpjegova se çfarë është. Tani të kalojmë te receta jonë. Përse është mirë ta keni këtë pastë në frigorifer?
Duke përdorur vetëm një lugë nga kjo pastë, i jep shije çdo gatimi tuajit. Mund ta përdormi edhe si aromatizues të mishit, ose si zëvëndësim gati në çdo recetë që përmban kripë.
Kini kujdes! Pasta përmban shumë kripë e cila vepron si konservues, ndaj derisa të gjeni dozën e duhur, përdorni nga pak. Shtojeni pastaj sipas shijes, po gjithmonë niseni me pak.
Pastë vegjetale me bazë perimesh
Përbërësit
- 🔹️ 100g presh i copëtuar
- 🔹️ 100g qepë e copëtuar
- 🔹️ 100g karota të copëtuara
- 🔹️ 100g selino bashkë me gjethet
- 🔹 200g rrënjë selinoje (ajo si topth bezhë i madh)
- 🔹️100g domate
- 🔹️ 100g kërpudha (ose 30g porçini të thara)
- 🔹️2 lugë gjelle miso (pastë soje)
- 🔹️ 50g majdanoz
- 🔹️ 6 kokrra dëllinjë
- 🔹️ 4 gjethe dafine
- 🔹️ 1 lugë gjelle piper i zi
- 🔹️ 6 hurma arabie të lëna në ujë për 10min
- 🔹 4 lugë gjelle pastë miso
- 🔹️ 100g kripë
- 🔹️ 100ml vaj ulliri
- 🔹️ 3 thelpinj hudhër
Instructions
- Në një mikser të madh, bluajmë pak piperin e zi dafinën, kërpudhat e thata dhe dëllinjën. Pastaj grijmë në mikser të gjithë përbërësit e tjerë PËRVEÇ KRIPËS.
- I bluajmë jo sa të bëhen pure, por pak trashë si në foto. E kalojmë masën në një tenxhere dhe shtojmë kripën dhe pastën miso. E trazojmë shumë mirë dhe e lëmë të gatuhet në zjarr të ulët për gati 10-15 minuta.
- E transferojmë në një ose dy kavanoz dhe e përdorim në gatim.
- Për supë perimesh, përdorni masën 1 lugë gjelle vegetë me 1.5litra ujë.
- Masa e servirjes është 1 lugë gjelle dhe mund ta përdorni kudo, në mish, në perime, në gjellë, supë etj. Ka mbi 10 bimë të ndryshme e të gjitha gjenden kollaj. I përgatit një herë edhe i përdor çdo ditë nga pak.








Leave a Reply