Nuk dija si tia vendosja titullin këtij postimi, por mendova se KitchenAid mikser product review (5KFP1319) është më mirë. Kjo sepse jep kodin fiks të modelit që kam unë, por dhe tashmë, ju jeni familjarë me termin product review. Nëse do shënoja Reçensë Produkti jam e sigurt se asnjëri nga ju nuk ta kërkonte në internet si fjalë, e aq më tepër këtu te blogu im ☺.
E para, jam e sigurt që KitchenAid mikser do kërkoni, e dyta, edhe ndonjë fanatik si puna ime mund të kërkojë me kodin (5KFP1319), e ndonjë tjetër thjesht me product review. Kështu thashë se do jem brenda nëse i vendos titullin që i vura apo jo? hihihihi
Epo lejomëni ta shpreh entuziazmin tim edhe këtu në blog. Më në fund, pas 20 vitesh, munda që në kuzhinën time të kem një mikser KitchenAid.
Por çfarë e bën të veçantë këtë firmë?
KitchenAid (që përkthyer në shqip do ishte Ndihma në kuzhinë), është një brand amerikan shumë cilësor, i përdorur gjërësisht edhe nga shefat më të mirë të kuzhinës. Ka cilësitë e pajisjeve profesionale por në format shtëpie. Pra, janë jo vetëm shumë të bukur, por janë dhe shumë të fortë.
Pasioni im për kuzhinën dhe leximet nëpër revista 20 vite shkuar (interneti nuk ishte kaq popullor) më njohu me këtë brand dhe që atëhere, fiksimi im sa vinte e rritej.
Duke qënë firmë amerikane, KitchenAid nuk mund të vinte aq lirë në europë sa është në USA, ndërsa në Shqipëri as që bëhej fjalë të kishte përfaqësi për sa kohë nuk njihej aq shumë. Pati disa prurje në fakt, para dy vitesh, por me disa çmime tejet skandaloze dhe jo shumllojshmëri produktesh.
Si e gjeta unë KitchenAid këtu në Tiranë?
Rastësisht para pak muajsh, në vitrinën e një dyqani pashë një gamë gati të plotë të KitchenAid sa më bëri habi. U futa për të parë e për çudinë time, fatmirësisht, mësova se ishin distributori zyrtar i KitchenAid në Shqipëri. Pra miq, tashmë KitchenAid mund ta gjeni edhe në Shqipëri tek KitchenAid Albania ose tek të gjithë rrjeti i dyqaneve Elektromagjia. Do pyesni ju, po çmimi? Çmimi në fakt, ose ëmimet se kanë shumë produkte, janë në të njëjtin nivel që janë edhe në Europë. Kujdes, Europë, mos gaboni të shikoni site-n amerikan të KitchenAid pasi në Europë janë më shtrenjtë se në USA. Dhe kjo deri diku ka llogjikë, pasi e njëjta gjë ndodh edhe me produktet europiane në USA.
Dhe ja, shikomëni sa e lumtur jam? Fiks si një fëmijë i vogël që sapo ka marrë një dhuratë.
Besoj po pyesni, çfarë modeli zgjodha?
Ëndrra ime tamam-tamam, është standing mixer klasik i KitchenAid, por vendosa që si fillim të marr këtë që shihni në foto, pasi më duhej më shumë në kuzhinë sesa “brumatriçja” klasike.
Zgjodha këtë sepse ka opsionet e mëposhtme, por më kryesorja, të gjithë elementet e tij rrinë brenda mikserit dhe nuk më zënë shumë hapësirë (shikoni videon).
- Thikën prerëse prej çeliku
- Tehun plastik për përgatitje brumrash apo salcash
- Diskun e çelikut për grirjen e fruta-perimeve,djathit etj (vrimë-vogël & vrimë-madhe)
- Diskun për prerje në kuba (e preferuara ime)
- Elementi plastik për pastrimin e tehut për kuba pasi dihet që aty mbetet gjithmonë diçka
Këto elementë që ju thashë më lart, mund ti shihni me detaje në videon e mëposhtme.
Përveç faktit të “magazinimit”, ky mikser ka një paraqitje super të bukur dhe mund të zgjidhni ngjyrën që i përshtatet më shumë kuzhinës suaj. Unë psh, zgjodha të kuqen.
Është shumë i qetë dhe kur punon në fuqinë e tij maksimale dhe për ta pastruar, mjafton të hidhni pak ujë e ilaç enësh e ta ndizni. Forca centrifugale e pastron shkëlqyeshëm, dhe juve ju mjafton ta shpëlani.
Pra në mënyrë të përmbledhur:
- Aksesorët nuk zënë vend
- Është i bukur për tu mbajtur mbi banak
- Lahet shpejt
- Nuk bën zhurmë
- Pret, grin, copëton, bluan, pret në kuba
- Është i fuqishëm
Çfarë kërkoni më shumë nga një mikser?
Vlerësimi im për kaq sa e kam përdorur? Ja, shikoni yjet më poshtë ☺
Nëse po mendoni të investoni në një mikser, pa dyshim do ju rekomandoja të këtë model që po ju rekomandoj në këtë postim.
Leave a Reply