Mund të keni parë gjatë karantinës kaq shumë njerëz që kanë blerë një air fryer (fritezë me ajër), sa rrezik edhe ju keni menduar ta blini një. Epo, ashtu si ju isha edhe unë. Natyrshëm lind pyetja A duhet investuar në një air fryer?
Ishte një ndër pajisjet që kisha kaq vite që I vija vërdallë, por nuk isha e sigurt a bënte realisht. Të jem e sinqertë, ishte edhe një nga pajisjet që më mungonte në shtëpi 😊. Mesa vura re më pas edhe nga komentet tuaja në Instagram, edhe ju kishit të njëjtat dyshime si unë.
Në fakt, nëse më pyet sot a bëra mirë që investova në një air fryer, jua them me plot gojën që PO! Bëra shumë mirë! Kaq mirë, sa kur im shoq tha “Po që qënka e mirë kjo!”, pata një gëzim të brendshëm që nuk ua shpjegoj dot. Që ta dini, im shoq është kaq anti xhingla, sa zakonisxht sherri nëpër shtëpi është pikërisht për to dhe për “rrëmujën” që ato na krijojnë në kuzhinë. Besoj e kuptoni tani se sa jam gëzuar unë që më në fund edhe atij I pëlqeu një pajisje elektrike dhe që nuk u zumë për të. (Mos u mërzit zemra, thjesht të vërtetën po them). Se që ta dini ju miq, që im shoq më lexon çdo postim se e kam ndjekës të rregullt :-D.
Ok, boll më punët personale tani dhe po hidhem tek postimi I sotëm.
Kush më ndjek edhe në Instagram, e njeh rubrikën #njëjavëairfryer. Kështu që këto postime që do vijojnë, nuk janë të reja për ju, por janë të reja për ata që më lexojnë vetëm në blog. Ahëmm, nëse ka të tillë.
Megjithatë, dua që ta nis me një postim informues mbi të mirat dhe jo të mirat e një friteze me ajër.
Çfarë është një airfryer?
Pyetje shumë e bukur kjo. Një airfryer është një minifurrë e vogël. Po, e lexuat shumë mirë. Edhe pse quhet “Fritezë”, nuk është e tillë, më shumë I ngjan një furre. Nuk skuq me vaj siç bën një fritezë reale, por ka një rezistencë të fortë dhe një ventilator që bën shpërndarjen e ajrit të nxehtë. Teknikisht ushqimi piqet, apo “skuqet” me rezistencë dhe ajër të nxehtë. Duke qënë hapësirë e vogël, nxehet shumë shpejt dhe jep deri diku efektin që jep një fritezë. Këtu keni benefit që “të skuqurat” janë të shëndetshme pasi nuk përdoret shumë vaj. Nga ana tjetërështë zhgënjim për ata që presin të hanë të skuqura si nga friteza me vaj.
A harxhon shumë energji elektrike?
Edhe kjo pyetje e pritshme. Këtu do ju fus pak në fizikë dhe matematikë. Kemi furrën e madhe dhe fritezën me ajër. Të dyja punojnë me rezistencë dhe ventilator. Nëse të dyja I ndezim në temperaturën 200 gradë Celsius, kush nga të dyja e arrin më shpejt temperaturën e caktuar? Sigurisht friteza me ajër sepse ka hapësirë më të vogël. Furra e madhe harxhon më shumë kohë në ngrohje dhe në pjekjen e ushqimit pasi hapësira është më e madhe. Pra, me pak fjalë, një fritezë me ajër, ngrohet shpejt, pjek shpejt dhe fiket vetë. Rrjedhimisht harxhon më pak energji elektrike sesa furra e madhe.
Për kë është më e përshtatshme air fryer?
Kjo fritezë është ideale për gatime në sasi të vogla dhe për familje të vogla.
- Është super ideale për persona që jetojnë vetëm dhe dy persona.
- Është shumë e mirë për familje deri në katër veta, por që nuk kanë oreks shumë të madh.
- Nuk bën për familje mbi 4 persona, pasi I bie të gatuani pjesë-pjesë dhe nuk do mund të hajë e gjithë familja njëkohësisht. Ose, disa do e hanë të nxehtë e disa të ftohtë ushqimin.
Çfarë mund të gatuajmë në një fritezë me ajër?
Parimisht çdo gjë që gatuhet në një fritezë, përveç gjërave pak të ujshmë si psh brumin e petullave klasike ose ushqime që janë të lyera me brumë të ujshëm si tempura etj. Gatimet e veshura me galetë, perimet, krahët e pulës, omeleta, ëmblësira etj bëhen të shkëlqyera.
Si përfundim, pyetjes A duhet investuar në një air fryer? duhet t’i përgjigjeni pasi të jeni sqaruar drejt mbi ato çfarë ju kam shkruar më lart. Nëse i përgjigjeni të gjithave me po, atëhere ju ka ardhur momenti që të investoni ne një fritezë me ajër. Uroj që unë t’ju kem ardhur në ndihmë sadopak.
Anonymous
7 Shtator, 2021 at 11:43 amNevila faleminderit!
Para pak ditesh u bera edhe une me air fryer.
Mezi pres recetat tuaja 😍
Bake My Day Happy
7 Shtator, 2021 at 2:22 pmShume shpejt. Ta gezosh 🙂
Zamira
8 Shtator, 2021 at 10:19 pmFaleminderit 😊