Shumë veta nuk e dinë që mund ta përdorin pajisjen e bukës edhe për të gatuar reçel. Unë do ju propozoj tre lloje reçelrash që mund ti përgatisni sa janë ende frutat në treg. Kështu sot do ju tregoj si bëhet reçel kumbulle në makinerinë e bukës
Në Instagram ju kam treguar se kam përdorur pajisje për heqje të bërthamave të kumbullave. Kjo ma shpejtoi shumë dhe më kurseu lodhjen për të bërë gati kumbullat. Duke qënë se ishin të buta nuk ishte e nevojshme ti prisja copat e mëdha.
Po si bëhet reçeli në pajisjen e bukës? Pothuaj çdo pajisje e ka një program specifik për reçelin dhe zgjat gati 1orë e 30 minuta. Pajisja ime e ka te programi nr 12. Meqënëse kisha blerë shumë kumbulla, 6 kg të jem e sinqertë, reçelin e bëra dy lloje: reçel me sheqer të bardhë dhe reçel me sheqer kaf (nga ai i ngjeshuri).
Në dy fotot e fundit dallohet ndryshimi në ngjyrë, ai me sheqer të bardhë është më i kuq sesa ai tjetri që ka dalë kaf. Edhe në shije kanë shumë ndryshim, ku ai me sheqerin kaf ka aromë të fortë melase që ngjan me çokollatën
Reçel kumbulle me sheqer të bardhë
Notes
Info: Limoni duhet si konservant në rastet kur përdorim sheqer më pak sesa raporti 1:1 (frut:sheqer)
Përbërësit
- 1.5 kg kumbulla të prera
- 700g sheqer i bardhë
- disa pika limon
Instructions
- Vendosim përbërësit e reçelit me sheqer të bardhë në koshin e pajisjes së bukës.
- Shtypim programin për reçel që në makinerinë time është nr 12 dhe marrim telekomandën të shohim televizor, ose lexojmë një libër, ose pastroni shtëpinë siç bëra unë. Jo se e bën reçelin më të mirë, por shfrytëzoni kohën për të bërë diçka tjetër se pajisja e bën vetë ☺.
- Pasi ka mbaruar programi, e lëmë të rrijë aty pa e hapur për gati 30 minuta pasi aty vazhdon ende gatimin.
- E kalojmë reçelin në kavanoza të sterilizuar dhe i mbyllim.
- I vëmë kokëposhtë dhe krijohet vetë vakumi se reçeli vijon të mbetet i nxehtë.
Ja pra, tashmë e mësuat se përveë bukës, tani mund të bëni edhe Reçel kumbulle në makinerinë e bukës.
Leave a Reply