Një postim jo I zakonshëm

U bë një kohë e gjatë nga postimi im i fundit dhe kjo për arsyen se isha me pushime për fundin e vitit. Mund të them se ishin një nga pushimet më të këndshme që kam kaluar këto kohët e fundit. Siç mund të më keni ndjekur nga Instagram, kam qënë në New York, tek familja e tim shoqi. Është viti i tretë që kalojmë Krishtlindjen dhe Vitin e ri andej, por kësaj rradhe nuk prisja që të kisha surpiza kaq të këndshme.

Kur je në New York, përveç faktit që herë pas here të duket vetja sikur je në një nga ato skenat e filmave (si tek Men in Black për shembull, apo Avengers, You’ve got mail, i preferuari im i tërë kohërave Miracle on 34th street, I vetëm në Shtëpi 2, The devil’s wears Prada etj…), ke dhe plot mundësi zgjedhje nga ana kulinare.

Kësaj rradhe provuam disa restorante ku pa dyshim eksperienca më e këndshme ishte në New Jersey në një restorant Hibachi. Nuk kisha qënë kurrë në një restorant të tillë dhe jam mahnitur nga shkathtësia e kuzhinierit në përgatitjen e drekës sonë.

Provuam ramen, takos & ençiladas (ushqimin tim të preferuar), shumë cupcakes, ushqim tajlandez etj etj..

Megjithatë dy eksperiencat e tjera më fantastike që pata ishin pjesëmarrja në një klasë dekorimi cupcake-sh tek e famshmja Magnolia Bakery (për këtë do lexoni më shumë në postimin e ardhshëm) dhe qershia mbi tortë, të takoja idhullin tim Jamie Oliver e të merrja librin me autografin e tij.

Nuk ma merrte mendja që një mesazh i shkurtër do më ndryshonte ditën. “Nevi, Jamie ka ardhur në New York për firmosjen e librit. Kontrollo instagramin”.

Kaq u desh dhe dita ime ndryshoi. Nuk i besoja syve që Jamie ishte në New York dhe unë do kisha mundësinë ta shihja ( e jo më t’i flisja ☺ ). Në fakt duke e menduar si në Shqipëri (që do bëhej rradhë e madhe për të takuar një VIP) u nisa me një shpresë shumë minimale se do kisha mundësi të merrja autografin e tij. Faktikisht rezultoi që organizatorët ishin perfektë. Rradha vërtet ishte e gjatë, por ecte, pasi fotografitë bëheshin nga punonjësit e dyqanit duke të të lënë tërësisht të qetë të shijoje bisedën 3 minutëshe me Jamie-n. E ndërsa prisnim në rradhë, provuam dy prej recetave të gatuara nga libri i ri i Jamie-t. A ka më mirë se kaq?

Ja pra miqtë e mi, ky ishte fillim-viti im e si thotë ajo fjala jonë shqipe, Fillimi i mbarë, gjysma e punës.

Po ju, si e nisët vitin? Mirëpres komentet tuaja me shumë kënaqësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading