Ëmbëlsirë pa Emër, por me Luleshtrydhe

Mendoj se gjëja më e vështirë kur sajon një recetë është vendosja e emrit. Po po, pikërisht emri, ja psh kësaj ëmbëlsire mendova t’ia ve emrin…

ta quaj…

si ta quaj?  Epo, nuk e di. Nejse, po e lë pa emër… për momentin.

Kur sajoj ndonjë gjë në shtëpi zakonisht nisem nga gjërat që kam në frigorifer apo dollap. Para disa kohësh kisha blerë biskota digestive (biskota integrale) të cilat pasi i kisha hapur qesen kishin filluar pak të zbuteshin e të bëheshin të thërrmueshme, kisha gjithashtu 1 kuti maskarpone dhe 1 kuti me ricotta. Meqë tani është stina e luleshtrydheve kisha dhe 1 pako luleshtrydhe që ia kisha fshehur gocës se përndryshe nuk do kisha asnjë kokërr 😂😂 (Jo, nuk jam një mami e keqe, thjesht nuk i lejoj të hanë pa hesap 😉) të cilat mendova ti përfshij në recetë.

Praktikisht kisha 250gr nga secila dhe meqë kishim peshk për drekë, sikur duhej një ëmbëlsirë për pasdreke, kështu që vendosa të bëj këtë ëmbëlsirë pa pjekje e cila u bë gati për më pak se 15 minuta.

PËRBËRËSIT:

sasia: 12 katrorë

Koha totale: 15 minuta përgatitja dhe minimumi 30 minuta në frigorifer

  • 250gr biskota digestive
  • 250gr maskarpone
  • 250gr gjizë pa kripë (ricotta)
  • 250gr luleshtrydhe në feta
  • Lëkura e një limoni dhe lëngu i 1/2 kokrre limon
  • 2/3 kupë sheqer pluhur
  • Pak vanilje

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Në një tas qelqi hidhni maskarponen, gjizën (ricotta), vaniljen, sheqerin (-2 lugë gjelle) dhe e trazoni me mikser deri sa të bëhet një masë kremoze uniforme
  2. Hidhni luleshtrydhet në një tas tjetër ku të shtoni , sheqerin pluhur (2 lugët e mësipërme) lëkurat dhe lëngun e limonit dhe lërini për pak minuta sa të marinohen.
  3. Merrni një tavë qelqi pyrex dhe hidhni 1/3 e masës së kremit dhe shtrojeni me lugë në të gjithë sipërfaqen e saj duke u kujdesur që të jetë me të njëjtën trashësi. Shtroni përsipër disa nga biskotat e pathyera dhe në hapësirat midis vendosni disa copëza biskotash të thyera . Shtroni gjysmën e lyleshtrydheve sipër biskotave.
  4.  Vijoni duke bërë të njëjtën gjë me kremin, biskotat dhe luleshtrydhet e mbetura.
  5. Tavën vendoseni në frigorifer që të mpikset për gati 30 minuta.
  6. Priteni në forma katrore dhe servireni nga një tre copë copa për person 😉

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading