Pite Tortija me Miell Gruri

Pite Tortija me Miell Gruri

Besoj se e kam bërë mëse të qartë që unë e adhuroj kuzhinën Meksikane. Në Tiranë fatmirësisht ka dy ose tre (mbase dhe më shumë) restorante Meksikane, por mua më pëlqen më shumë ti gatuaj vetë. Në fillimet e mia e kisha të vështirë të bëja tortijat dhe gjithmonë i kam blerë, dmth akoma i blej kur dua ti kem për kollaj, por ndonjëherë kur kam kohë të lirë i gatuaj vetë në shtëpi.

Kam tentuar disa receta të them të drejtën derisa arrita tek më e thjeshta e më e shpejta, me vetëm 3 përbërës ( 4 nëse llogarisni dhe kripën ☺) dhe që nuk kërkon të punohet shumë me dorë.

Sasia 10 tortija

Koha totale: 20 minuta

Koha e pushimit: 30-60 minuta

PËRBËRËSIT:

  • 2 kupa miell që fryhet vetë
  • 1 ¼ kupë ujë të vakët
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • Pak kripë
  • Miell ekstra për spërkatje

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Hidhni të gjithë përbërësit në një enë qelqi.
  2. Përzieni me duar përbërësit deri sa brumi të lidhet paksa.
  3. Spërkatni pak miell mbi banak dhe punoni mirë brumin deri sa të bëhet i butë dhe elastik, gati 3 minuta.
  4. Ndajeni brumin në 10 copëza të barabarta ( me peshë gati 50gr secila) dhe jepini formë topthash të vegjël.
  5. Mbulojeni brumin me qese transparente që mos të thahet dhe lereni të pushojë për gati 30 deri në 60 minuta (unë dola shëtitje me fëmijët pas këtij hapi dhe e lashë brumin për gati 1 orë). Ky hap është i domosdoshëm pasi e bën brumin të butë dhe elastik dhe hapet kollaj.
  6. Hidhni pak miell mbi banak dhe fërkoni okllainë me pak miell shtesë. Hapni topthat një e nga një në formë rrethore me diametër gati 15cm ose sa më të holla që të mundeni.
  7. Ju sugjeroj që ti hapni të gjitha petat pasi koha e pjekjes është shumë e shkurtër. Mbajini petat të mbuluara me një picetë që mos thahen.
  8. Ngrohni në zjarr të mesatar një tigan që nuk ngjit dhe piqni njërën petë për gati 2 minuta. Do vëreni që vende vende do të keni xhepa të fryrë me ajër, kjo është një karakteristikë e piteve tortija. Kthejini nga ana tjetër dhe piqini eshe për 30 sekonda. Pitet janë pjekur kur të kenë vende-vende pikëza të vogla kafe. Kujdes të mos i piqni fort pasi në të kundërt pitet do bëhen kërce dhe do thyhen nëse i rrotulloni. Përsëritni këtë proçes me të gjitha petat e mbetura
  9. Mbulojini pas pjekjes në mënyrë që të rrinë të buta dhe elastike.

Mund të bëni shumë receta me to, si psh Tacos, Kesadijas, Ençiladas, Çimiçangas, Burritos etj… ose mund ti konsumoni ashtu të thjeshta.


Related Posts

Panine (pre-gels)

Panine (pre-gels)

Një ndër kënaqësitë e mia të mëdha është dhe bërja e bukës vetë në shtëpi. Ky pasion lindi para 10 vitesh gati kur im atë më dhuroi 1 makinë bërëse buke. 5 bukët e para (ok, e pranoj, 10 bukët e para 😅) ishin një […]

Si të thajmë lëkurën e misrit për tamales

Si të thajmë lëkurën e misrit për tamales

Tani është koha e misrave dhe përveç kënaqësisë së shijimit të misrave të pjekur a të zier, kam edhe mundësinë e ruajtjes së lëkurave të kallirit për ti përdorur në vjeshtë për tamales. Kjo e fundit është një meze e këndshme me miell misri dhe […]



Këtë e pëlqejnë %d blogues: