Tavë peshku me domate

Tavë peshku me domate

Për herë të parë këtë tavë e kam provuar në Pogradec ( Tushemisht për të qënë më e saktë). Kur na e propozuan si variant mu duk shumë e çuditshme pasi isha mësuar që tava e peshkut ishte o me qepë, o me patate e karrota, por me domate e uthull nuk kisha dëgjuar. Pasi e provova, thashë me vete, këtë variant duhet ta provoj se s’bën edhe në shtëpi pasi ishte shumë shumë e shijshme. Nuk doli tamam si e lokalit, por them se ia dola relativisht mirë.

Sasia: për 4 veta

Koha totale: 1 orë e 10 min

PËRBËRËSIT:

  • 1 troftë (900gr) me tul portokalli
  • 7-8 domate
  • 7-8 thelpinj hudhër
  • 200ml uthull molle
  • 1 lugë çaji kripë
  • 1 lugë çaji sheqer kaf
  • 1 filxhan kafe vaj ulliri
  1. Ngrohim furrën në 250° C
  2. Ndajmë troftën në disa pjesë (e imja doli në 6 pjesë të mëdha) dhe i vendosim me kujdes në fundin e një tave dheu të madhe.
  3. Presim domatet në kuba dhe i hedhim në një tas qelqi. Shtojmë dhe hudhrat e copëtuara në të njëjtin tas.
  4. Shtojmë kripën, vajin e ullirit, sheqerin dhe uthullën e mollës në tasin ku kemi domatet dhe i trazojmë mirë me lugë.
  5. Ne fund ia hedhim sipër troftës dhe e sistemojmë mirë me lugë që disa nga pjesët e peshkut të dalin mbi domate.
  6. E vendosim tavën në fund të furrës dhe e lëmë që të piqet për gati 1 orë.
  7. Në varësi të llojit të domateve, në tavë mund të krijohet pak lëng, por që mund ta rregulloni shumë kollaj duke ngjyer në të koret e bukës 😂😂.

 



Këtë e pëlqejnë %d blogues: