Tani që e zotëruat artin e të bërit Tortija me miell gruri ☺, jeni gati ti perfeksiononi aftësitë tuaja duke provuar të bëni Kesadijas.
Fjala Quesadilla (shqiptohet: Kesadija) vjen nga fjala spanjolle Queso (shqiptohet: Keso), që do të thotë djathë, kështu që fjalë për fjalë, Kesadijas jane pite tortija të mbushura me djathë. Mund ti mbushni me çfarë të dëshironi, por e rëndësishme është që të paktën 50% e mbushjes të jetë djathë. Unë biles i përgatis edhe për tua dhënë me vete në shkollë.
Sasia: 4 persona
Koha Totale: 10 minuta
Koha e përgatitjes: 7 minuta
PËRBËRËSIT:
- 8 pite tortija
- 2 kupa djathë të grirë Çedar, ose Guda, ose Emental ose çdo lloj djathi tjetër që shkrihet.
- 2 kupa gjoks pule zgare në copëza të vogla
- 3 lugë gjelle spec turshi jalapeno (halapenjo) ose zëvëndësojeni me spec jeshil, ose kastravec turshi
- 4 lugë gjelle salcë krem qumështi të athët (sour creme)
- 3 lugë gjelle erza mikse për Taco
- Salcë pikantë për spërkatje
- 4 lugë çaji gjalpë
- Fillojmë me përzierjen e mishit të pulës me erëzat mikse për Tacos dhe ngrohini paksa në një tigan për disa minuta
- Shtroni një pite tortija dhe vendosni mbi të ¼ kupë djathë të grirë
- Shtoni mbi të ¼ kupë të copëzave të pulës.
- Shtoni specat djegës halapenjo, ose speca jeshilë, ose kastravecin turshi dhe vendosni mbi të një pite të përsipër.
- Përsërisni hapat nga 1-4 edhe për pitet e mbetura.
- Ngrohni një tigan që nuk ngjit në temperaturë të ulët dhe shtoni 1 lugë çaji gjalpë.
- Vendosni kesadijën me kujdes dhe duke e shtypur me shpatullëz lereni të gatuhet për 2-3 minuta. Kthejeni në anën tjetër dhe gatuajeni edhe për një minutë më shumë.
- Hiqeni nga zjarri dhe hidhini persipër 1 lugë gjelle salcë krem qumështi të athët. Spërkasni pakëz salcë pikante nëse ju pëlqejnë shijet e forta.
- Përsërisni sa më lart edhe për 3 kesadijat e mbetura
- Sherbejini sa janë ende të ngrohta
Që kesadijat të mos ftohen, mbulojini me letër alumini. Disa nga kombinimet që unë përdor përveç shijes më lart, janë edhe:
- Djathë-fasule të zeza- misër- spec i kuq i prerë në kuba
- Djathë- biftek- kastravec turshi
- Theshtë me djathë
- Djathë-feta domatesh- feta kastraveci- kotoletë pule
Leave a Reply