Kësaj rradhe vendosa të bëj simite të Pashkës me Mjaltë dhe Portokall (Hot Cross Buns). Me mjaltë, lëkurë portokalli dhe një teknikë speciale për të dalë më të buta dhe plot shije. Perfekte për mëngjes ose për një moment të ëmbël të dielën e pashkës.
Këto simite të buta dhe aromatike janë versioni im i veçantë i simiteve tradicionale të Pashkëve. Këto simite janë tipike të pashkës katolike në Angli apo Amerikë, por jo në Shqipëri. Gjyshja ime, gatuante disa panine me qumësht dhe sipër i vinte një stampë me disa simbole. Kishte një stampë druri, të cilën sot e ka trashëguar nusja e xhaxhait. Atë recetë nuk munda ta kem, ama disa herë i jam afruar shijes.
Ne e kemi patur traditë që paninet me qumësht ti merrnim me vete në meshën e darkës së të shtunës. Pasi trokisnim vezët, i shoqëronim me paninet. Këtë vit, mendova ta bëja ndryshe dhe simitet ti hamë pas vezës, si ëmbëlsirë gjatë kthimit. Sigurisht duke pasur kujdes mos digjemi nga qirinjtë në duar hahaha.
Me këtë posti, sot dua ti uroj të gjithë besimtarëve orthodoksë,
Gëzuar Pashkën, Krishti u ngjall!
















Simite të Pashkëve me Mjaltë dhe Portokall (Hot Cross Buns)
Përbërësit
- Tangzhong (i jep butësi ekstra)
- 🔹 3 lugë gjelle miell
- 🔹 120 ml qumësht
- Brumi
- 🔹 450 g miell
- 🔹 60 g mjaltë
- 🔹 30 g sheqer
- 🔹 1 lugë çaji kripë
- 🔹 2 lugë çaji maja e thatë
- 🔹 1 lugë çaji kanellë
- 🔹 ¼ lugë çaji karafil pluhur
- 🔹 Lëkura e grirë e 1 portokalli
- 🔹 1 vezë
- 🔹 180 ml qumësht i vakët
- 🔹 Përzierja tangzhong
- 🔹 50 g gjalpë i butë
- 🔹 120 g rrush i thatë ose fruta të thata (të zbutura në lëng portokalli)
- Për kryqin
- 🔹 70 g miell
- 🔹 5–6 lugë gjelle ujë
- Për glazurë
- 🔹 2 lugë gjelle mjaltë
- 🔹 1 lugë gjelle lëng portokalli
Instructions
- Përgatisni tangzhong:
- Në një tenxhere të vogël përzieni miellin me qumështin dhe gatuani në zjarr mesatar derisa të trashet si krem. Lëreni të ftohet.
- Për brumin
- Në një tas të madh përzieni miellin, majanë, sheqerin, kripën dhe erëzat.
- Shtoni mjaltin, vezën, qumështin e vakët, tangzhong dhe lëkurën e portokallit. Përziejini derisa të formohet brumi.
- Punoni brumin për rreth 10 minuta derisa të bëhet i butë dhe elastik, pastaj shtoni gradualisht gjalpin. Brumi do jetë pak ngjitës, por mos shtoni më miell.
- Shtoni rrushin e thatë të kulluar dhe përziejeni lehtë në brumë.
- Mbulojeni dhe lëreni të vijë për 1–1.5 orë derisa të dyfishohet
- Ndajeni në 16 pjesë dhe formoni toptha. Vendosini në tavë me letër pjekjeje.
- Lërini të fryhen sërish për 30–45 minuta.
- Përzieni miellin me ujë për të krijuar një pastë dhe vizatoni kryqin sipër çdo simiteje.
- Piqini në 190°C për 18–22 minuta derisa të marrin ngjyrë të artë.
- Përzieni mjaltin me lëngun e portokallit dhe lyeni simitet sa janë ende të ngrohta.
Leave a Reply