Vijojmë me rubrikën e recetave të dërguara nga ju. Receta për këtë Qumështor nga Dibra e Madhe është dërguar nga mikesha ime Alda. Kjo recetë është nga origjina e mamit të saj nga Dibra e Madhe.
Unë nuk kisha gatuar asnjëherë qumështor edhe pse është një nga ëmbëlsirat që më pëlqen shumë.
Receta e mamit të Aldës, ishte shumë e mirë dhe unë e ndoqa fill e për pe, mirëpo mendoj se bëra një gabim të vockël dhe e hodha në një tavë pak të madhe dhe më doli paaaaksa e hollë, por në shije ishte një mrekulli.
E gatuam sot për Pashkën Katolike dhe e shijuam familjarisht. Në fakt i vijmë tavës vërdallë me turne dhe hamë vazhdimisht se nuk e mbaruam dot për drekë hihi.
Doja të shtoja gjithashtu se kjo recetë ka një rëndësi shumë të madhe për mua dhe jam e privilegjuar që Alda e ndau me ne. Uroj ta përgatisni edhe ju.
Qumështor nga Dibra e Madhe
Përbërësit
- 🔹1.5 litra qumësht lope
- 🔹10 vezë fshati
- 🔹1.5 gota sheqer
- 🔹2 lugë gjelle miell
Instructions
- Vendosim qumështin të ziejë dhe shtojmë sheqerin.
- Përziejmë vazhdimisht që të mos ngjisë në tenxhere.
- Kur ka filluar të vlojë në një tas përziejmë dy luge miell dhe një gotë ujë. Përziejmë mirë që të mos ketë toptha mielli të pa tretur në ujë.
- Masën e kalojmë në tenxhere duke e kulluar në një kullesë të imët që të mos kalojnë topthat e miellit dhe e perziejmë sa të trashet pak qumështi.
- Pas 10 minutash që e përziejmë, e heqim nga zjarri. Në një tas thyejmë vezët dhe I rrahim mirë sa të bëhet një masë homogjene, mundësisht me rrahëse elektrike.
- Më pas bashkojmë dy masat me njëra-tjetrën duke i përzier me rrahësen elektrike.
- Pasi masa është bërë homogjene e kalojm te një tepsi mundësisht katrore që pas pjekjes të prihet në copa katrore. Kjo për estetikë.
- Pjekja:
- Furra duhet e parangrohur me 220 gradë. Koha e pjekjes 30-40 minuta.
- Fusim tavën në furrë dhe shohim që pjekja të bëhet e plotë.
- Pjekja është bërë e plotë nëse ëmbëlsira ka zënë një shtresë që vende-vende duket si cipë e zezë.
- E heqim nga furra dhe e lemë të ftohet plotësisht.
- Me pas e vendosim në frigorifer për 2-3 orë.
- Presim në copa katrore dhe e shërbejmë në pjata ëmbëlsire.
- Ju bëftë mirë 😍
Receta e dërguar nga Alda.








Alda
5 Prill, 2026 at 11:04 pmJam shume e lumtur qe e publikove ne web receten e mamit tim qe ne fakt eshte e prefer preferuara jone ne cdo feste ku pavaresisht embelsirave dhe gatimeve te tjera kjo eshte mbreteresha e tavolines, pasi I vjen era Mam shtepise 😍
Bake My Day Happy
5 Prill, 2026 at 11:14 pmShumë kënaqësi e madhe edhe për mua. Recetat nga mamat janë xhevahire që nuk duhet të na humbin ❤️