Një udhëtim Shalë-Valbonë-Theth për mos u harruar

Një udhëtim Shalë-Valbonë-Theth për mos u harruar; Hera ime e parë që vizitoja veriun (pas Shkodrës të kuptohemi) dhe u mahnita.

Nuk e di as vetë se përse e kisha vonuar dhe paragjykuar kaq shumë veriun tonë. Në parim, isha e bindur që natyra do ishte përtej pritshmërive, dhe ashtu doli. Shumë më kishin thënë të ulja pritshmëritë për ushqimin. Më thanë nisu me pritshmëri të ulët sepse ushqimi nuk është dhe aq i mirë. Për këtë do ju shkruaj pak më poshtë.

Le ta nisim me transportin, ku shkuam, çfarë bëmë dhe çfarë hëngrëm hahahaha. Ama, ju paralajmëroj që ky do jetë një postim i gjatë.

Para se të nisesha kam lexuar shumë, por sërisht kishte info që më mungonte, ndaj do mundohem ti përmbledh këtu.

Transporti Tiranë-Shalë-Valbonë dhe Theth-Shkodër-Tiranë.

Transporti ishte një nga hallkat që kisha shumë merak. Këtu duhet ti jap meritën edhe turistëve të shumtë që vizitojnë veriun e Shqipërisë pasi edhe prej tyre, infrastruktura organizative (jo rrugore) ishte e kënaqshme.

Nisja nga Tirana ditën e hënë dhe kthimi në Tiranë ditën e enjte pasdite u bë me të njëjtën kompani por me mjete të ndryshme. Për të bërë këtë udhëtim ne na u deshën 3 furgonë, një mikrobuz dhe një varkë e madhe. Pak e lodhshme por shumë e bukur. Për blerë biletat, shkoni tek ky linku këtu.

Rruga me furgon nisi në Tiranë në orën 05:30 dhe mbërritëm në Koman rreth orës 09:00. Në Koman transporti ujor ishte ose me traget direkt për në Valbonë, ose me varka më të vogla për në lumin e Shalës. Ne morëm këtë të dytin pasi donim të hanim një drekë edhe në Shalë. Në fakt zona quhet Shosh sikundër na thanë, por le ta quajmë Shalë në vijim për thjeshtësi. Pra, në Shalë arritëm në orën 11:00 dhe nisja për në Valbonë prej aty do ishte në orën 14:00.

Dukej e pamundur, ama, na doli koha edhe të laheshim në lumin akull edhe të hanim një drekë të shkëlqyer. Drekën e hëngrëm tek GuestHouse BeeEco. Ushqimi ishte i freskët dhe ne morëm edhe mish zgare edhe troftë zgare dhe shumë pjata mesore. Prodhimet e zgarës i qanin dhe çmimet ishin shumë mira (rreth 1,500lek për person).

Transporti i parë ujor deri në Shalë (1.5 orë) ishte i bukur, emocionues. I dyti që na çoi në Fierzë e që zgjaste dy orë, na lodhi pak pasi ishim edhe në diell dhe patëm shumë vapë.

Nisja për në Valbonë prej luginës së Shalës.

Me dëshirë do doja të rrinim një natë te GuestHouse BeeEco për të shijuar lumin më gjatë, por u nisëm për në Valbonë. Pas udhëtimit 2-orësh, që mua më ngjau si 4 pasi u kujtova që kisha harruar këpucët e hiking në furgon, mbërritëm në Fierzë. Aty na priste mikrobusi që do na çonte në Valbonë. Meqë transporti ishte me të njëjten kompani, këpucët e mia mi kishin nisur para meje dhe më prisnin në Fierzë hahahah sepse u kuptua që ishin këpucë mali dhe duheshin për në Valbonë, kështu dita mori kthesë të mirë nga ky moment. Një tjetër vlerësim për kompaninë të cilët pasi i kontaktova për harresën, u kujdesën që të mi sillnin ku duhej. Big Bravo ekipit 👏.

Rrugës për në Valbonë u mahnitëm me pamjen edhe të qytetit të Bajram Currit por edhe të lumit të Valbonës që na shoqëronte. Malet ishin tejet të larta e mua më dukej sikur nuk isha në vendin tim. Fatkeqësisht foto nuk e justifikon bukurinë e atyre që të kap syri.

Nata e parë në Valbonë

Mbërritëm në Valbonë diku rreth pasdites pak a shumë rreth 17:30. Zgjodhëm për të qëndruar tek Bujtina Valbona , në krah të resortit Luksoz Valbona, kështu që kujdes mos ngatërroheni hihihi. Bujtina jonë ishte shumë e rehatshme por pamja që kishte nga dhoma ishte edhe më madhështore.

Të lodhur siç ishim, nuk patëm shumë mundësi të eksploronim Valbonën, ndaj vendosëm të darkojmë tek Restorant Breezy. Darkë tradicionale ku ne provuam Mazën e zier dhe atë që jua rekomandoj ishte leqeniku. Mos e lini pa provuar te ky restorant nëse ju bie rruga. Edhe këtu çmimet ishin shumë të mira (1,300 lek për person).

I shumëprituri kalim Valbonë-Theth

Për kalimin Valbonë-Theth ne morëm një guidë të çertifikuar pasi ishim grup i patrajnuar dhe kishim edhe fëmijët me vete. Këta të fundit sigurisht që ishin shumë më mirë se ne adultët në ngjitje. Guida jonë ishte Kastriot Qehaja, i cili ishte edhe pjesë e ekipeve të shpëtimit, ndaj mund ta imagjinoni historitë që na tregoi rrugës. Ne u nisëm me furgon nga bujtina deri në afërsi të fillimit të shtegut për të shkurtuar pak kohën dhe lodhjen.

🏞️ Nisja për në mal

Rruga nga kaloi furgoni ishte me gurë të mëdhenj dhe aty mësuam që në pranverë kalonte lumi i cili arrinte deri ne 2-3metra thellësi. Pra, praktikisht po kalonim në shtratin e lumit tashmë të tharë gjatë stinës së verës.

Ngjitja nga ana e Valbonës ishte pak e lodhshme por shtytja që na jepte guida për të mos ndaluar, na bëri që ti jepnim ritëm. Gjatë rrugës, Kastrioti na tregoi dhe rrugët e ndryshme që mund të merreshin për të bërë hiking në maja të ndryshme, dhe kishim kaq shumë.U ndjeva disi krenare për natyrën tonë malore. Stina më e rrezikshme sipas tij, ishte stina e pranverës dhe vjeshtës ku disa zona për shkak të shirave dhe shtrëngatave bëheshin të rrezikshme për kalimtarët. Në disa prej zonave, Kastrioti na tregoi që kishin gjetur edhe tufa dhish të egra të shkrumbuara nga rrufetë (fatkeqësisht edhe njerëz).

🏞️ Më poshtë po ju lë galerinë e fotove me disa imazhe nga ngjitja e zbritja jonë.

Kur zbritëm në Theth, sërisht mashtruam disi 😂😅 pasi morëm një makinë që na çoi te bujtina. Ishte rreth 10 min larg (ose me pak). Shoferi i makinës quhej Gjelosh Qerimi (këtë po e le për ju që nëse ju bie rruga, kërkoni Gjeloshin për transport). Këtu u ndanë dhe rrugët tona me Kastriotin i cili duhej të kthehej në shtëpi (6 orë të tjera ecje Theth-Ndërlysaj-Abat-Pecaj-Qafa e ndërmajes-Lumi i Zi-Lekbibaj, një shëtitje e shkurtër me një fjalë hahaha). God bless him, super njeri!

Aventurat në Theth

Dhe pas xhiros me pick-up mbërritëm pasdite ne Theth. Përsa i përket pamjes,Valbona më pëlqeu më shumë. Thethi (qendra) ishte pak e ngarkuar, rruga kudo me çakull, mu duk me tepër i rrëmujshëm. Edhe malet përqark ishin shumë të bukur por me aq pak sa pashë, Valbona ishte on Top. Sigurisht që Thethi kishte më shumë atraksione për të parë dhe ne për dy ditë thuajse s’pamë asgjë. Pas ngjitje-zbritjes nga Valbona, të nesërmen (të mërkurën) mundëm të shikojmë vetëm syrin e kaltër. Ditën e enjte nisja ishte në orën 11:00 kështu që nuk kishim kohë të shihnim asgjë.

🏞️ Nisja drejt syrit të kaltër

Ditën e mërkurë pas ngjitjes së malit, morëm Gjeloshin me pick-up e tij dhe u nisëm në orën 09:40 drejt syrit të kaltër apo Blue Eye si e quanin të huajt.

Gjeloshi na tha që ai vend u ka pas quajtur Pusi i Zi dhe aty humbnin bagëtia e barinjtë dhe fëmijët e kishin të ndaluar të shkonin, por vajti një turist një ditë që e quajti Blue Eye dhe kur thonë amerikanët, The rest is history!

Pra u nisëm drejt Syrit të Kaltër. E ne të shkretët thamë super, ishte rreth 25min me makinë dhe 15 min ecje. E ça janë 15 minuta ecje kur ne bëmë 6 orë. Po kur arritëm pamë llojin e ecjes hahahah. Nejse, pak ngjitje dhe ishte me hije. Nuk ishte aq e vështirë si ngjitje pasi ne gjetëm aty poshtë disa shkopa të gjatë të bekuar që na ndihmuan shumë me ecjen në mal. Ore nuk e kanë kot të huajt, çdo aktivitet do mjetet e veta. Njëri u bë Gandalf the Grey, dikush the White Wizzard hahah por u ngjitëm dhe zbritëm pa pikën e problemit.

Pastaj arritëm në këtë mrekullinë më poshtë. Këtu u lamë në ujin brisk përmbi 30 minuta dhe këmbët tona e muskujt e rraskapitur na falenderuan për atë ndjesi çliruese.

🏞️ Nata e dytë dhe e fundit në Theth.

Në Theth ne fjetëm tek Kompleksi Zorgji, tek shtëpia lart e cila kishte një pamje dhe qetësi unike. Pas kthimit nga Syri i kaltër, tashmë të freskuar, drekë-darkën e fundit e hëngrëm tek lokali i Zorgji. Pasditja ishte me shi, ndaj një tavë me pule ishte ajo që na ngrohu shpirtin.

Konkluzionet e udhëtimit?

Kur do ikim prapë? hahaha. Përfundimisht e kisha paragjykuar veriun dhe jam shumë vonë që e vizitova tani. Organizimi ishte shumë i mirë i çdo gjëje, kamarierët ishin kudo shumë të edukuar. Kishte shumë, po shumë të huaj sa u ndjeva në minorancë hahaha. Çmimet ishin shumë më mirë se sa në jug. Kështu, nëse jeni edhe ju po kaq të vonuar sa unë, mos e shtyni më po nisuni.

PS: Çfarë kam shkruar më lart është vetëm 50% e gjërave që kemi bërr po boll me kaq hahaha.

2 Comments

  1. Super pershkrim – faleminderit! Valbona nje must!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading