Si të pastrojmë rrënjën yucca

Në këtë postim, ju tregoj Si të pastrojmë rrënjën yucca. Por, përpara se të kalojmë tek pastrimi, po ju shkruaj pak info.

Këtë zhardhok e gjeni edhe me emra të tjerë, sepse varet nga zona ku prodhohet. Përveç emrit që përdor unë yucca (juka) e gjeni edhe manioka apo cassava. Është i njëjti zhardhok, pavarësisht emrave të ndryshëm. Më poshtë unë do i përdor të tre emrat që ju të familjarizoheni.

Nga udhëtimet e bëra në New York, e kisha hasur shpesh këtë zhardhok në treg, por nuk e kisha provuar. Biles biles e kam gjetur në forma e ngjyra të ndryshme. Një varietet në fakt, e kisha parë edhe në një supermarket në Tiranë, por se kisha blerë asnjëherë.

Në 2016, kur sa kishim mbërritur në New York, u ulëm në një restorant kubanez. Aty provuam më në fund dhe yucca sallatë dhe prej asaj dite, sa herë gjej yucca në Tiranë, blej për ta gatuar në shtëpi.

Ku rritet yucca/cassava/manioka?

Cassava rritet në Amerikën e jugut (zonën tropikale), në Afrikë, Azi etj. Përdoret edhe si rrënjë në gatim, por dhe në versionin e tharë që nxirret niseshteja tapioca. Po, tapioca nuk është gjë tjetër veçse niseshteja e përftuar nga cassava. Është e pasur në karbohidrate, vitaminë C dhe vitamina të grupit B {thiaminë (vit B1), riboflavinë (Vit B2) dhe niacinë (Vit B3)}.

Si të zgjedhim një yucca të mirë?

Si të kuptoni që yucca që keni zgjedhur është e mirë? Psh, kur zgjedh patatet apo karotat e di me siguri që nëse është e butë, nuk bën. E njëjta gjë edhe me këtë zhardhok. Si parim, të gjitha perimet që rriten nën tokë, duhet të jenë të forta, përndryshe janë drejt kalbjes. Kur të blini një yucca, shikoni mirë të gjithën pasi ka tendencë që të ketë zona të buta nëpër të. Ndaj pa e shtypur fort, kontrolloni nëse ka apo jo vende të buta. Rrënja e jukës duhet të jetë e fortë dhe me shkëlqim të theksuar kaf.

Në përgjithësi, perimet rrënjore kanë jetëgjatësi të lartë por për yuccan, duke qënë importi, kanë një veshje si me parafinë për të parandaluar kalbjen.

Dhe këtu vijmë ke proçesi i pastrimit.

Si të pastrojmë rrënjën yucca?

E ndërsa pataten, karotat, rrepkat etj mund ti konsumojmë me lëkurë nëse i lajmë mirë, yuccan nuk e konsumojmë dot pa qëruar. Lëkurën e ka shumë të fortë, gati gati drusore dhe duhet qëruar si në videon që kam vendosur më poshtë.

Ka raste që në qëndër të zhardhokut ka një fije të fortë që duhet hequr, por ka raste dhe jo. Tuli i maniokës duhet të jetë i bardhë, i fortë dhe pa aromë. Nëse ndjeni një aromë të ngjashme me diluentin/acetonin, tregon që rrënja është e vjetër dhe po shkon drejt prishjes, por nëse tuli është i ngjeshur, mund ta konsumoni pa frikë. Pas gatimit sigurisht.

Në blog keni dhe një recetë afrikane (linku këtu) por dhe versionin sallatë e zier këtu.

Tani ta mbyllim këtu me fjalë e po ju lë të shikoni videon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading