Përpos disa recetave tradicionale që kam postuar në blog, sot po vijoj me një video të shkurtër për speca të mbushur me mish të grirë.
Megjithatë, kjo që unë po bëj, nënkupton edhe një sfidë për mua. Shumë shpesh më ka ndodhur që replikat deri në ofendim I kam patur më së shumti te gatimet tradicionale.
Komente të tipit, “ja fute kot se nuk bëhet kështu” apo, “Jo, e ke gabim se kjo gjellë nuk bëhet kështu”, ose “ Vetëm tradicionale se ke” janë ndër më të preferuarat e atyre personave grricës që ka sot rrjeti. Ata që mendojnë se receta e tyre ka vulën e autenticitetit të tradicionales.
Epo, më lejoni të ndaj në blogun tim mënyrën se si unë gatuaj gjellët tradicionale. Ose atë që përgjatë gjithë jetës sime kam quajtur tradicionale sipas familjes sime. Nëse nuk I përmbush kriteret tuaja për të qënë tradicionale, mund të sugjeroni variantin tuaj. Kështu, mësojmë të gjithë dhe nuk vdesim injorantë.
Ja, e thashë, e hoqa merakun edhe për këtë pjesë. Tani vijojmë me atë që kisha në plan.
E konsideroj fat që ne shqiptarët vijojmë të dashurojmë kuzhinën tonë. Më pëlqen që shumica prej nesh në përditshmëri gatuan këto receta. Por, ajo që më pëlqen më shumë janë mesazhet që kam marrë nga vajza të reja që më kërkojnë këto tradicionalet. E nisur nga kjo, mendova ti dedikoj më shumë vëmëndje gatimit të përditshëm tonit.
Ndoshta pamjet nuk mund të jenë aq tërheqëse sa recetat e reja që zhvillohen, por ama, të gjithëve na shkon goja lëng. Në fund të fundit, ndarja e recetave tradicionale në një blog, I jep vazhdimësi kuzhinës sonë. Me largimin e brezit të vjetër, shumë receta kanë humbur pikërisht sepse nuk janë ruajtur diku. Unë do ta çoj në një nivel më lart. Do krijoj Kategorinë Gatimet tuaja ku do të postoj recetat tuaja. Pra nëse kë një kujtim të bukur të lidhur më një recetë të familjes tënde ma dërgo së bashku me recetën.
Më poshtë do gjeni recetën time për Speca të mbushur me mish të grirë.
Speca të mbushur me mish të grirë
Përbërësit
- 8 speca per mbushje (unë përdor edhe ata për skuqje)
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 2 qepë të prera në kuba
- 2 thelpinj hudhër të grira
- 1 spec I prerë në kuba
- 1 domate në kuba
- 1 filxhan kafe me oriz kokërr vogël
- 1 lugë gjelle me pekmez shege (ose çtë keni në shtëpi)
- 1 lugë çaji rigon
- 1 lugë çaji nenexhik
- Pak nenexhik të freskët
- 1 lugë gjelle uthull
- 250g mish të grirë
- Kripë e piper të zi sipas shijes
Instructions
- Ndezim furrën në 260◦C. Në një tenxhere të thellë që futet edhe në furrë hedhim vajin e ullirit.
- Shtojmë me rradhë hudhrën, qepën, specin dhe I lëmë të skuqen sa qepa të jetë zbutur.
- Hedhim kripën, piperin dhe mishin e grirë. E fërgojmë pak minuta dhe shtojmë pekmezin e shegës dhe uthullën.
- Trazojmë mirë dhe shtojmë orizin. Më pas shtojmë edhe domaten e freskët të prerë në kuba.
- Hedhim 1 filxhan kafeje me ujë dhe fikim zjarrin.
- Kontrollojmë për kripën. Duhet të jetë pak më shumë se normalisht pasi gjatë zierjes e përthith orizi.
- Pastrojmë specat nga farat dhe I mbushim.
- I sistemojmë në tavë si në video dhe e pjekim tavën të mbuluar me letër alumini për 20-25 minuta.
- Sapo orizi të jetë zier, heqim letrën dhe e pjekim edhe per 10 minuta sa speci të marrë ngjyrë.
Anonymous
3 Tetor, 2020 at 8:12 amPer 4 persona nje filxhan oriz? Mos eshte pak?
Bake My Day Happy
3 Tetor, 2020 at 9:06 amJo nuk është pak pasi ka shumë mish të grirë, versioni im nuk ka aq shumë oriz sa ka versioni klasik i specave që ka më shumë oriz sesa mish.