Do ta nis këtë postim me një informacion personal. Unë vuaj nga migrena. U bë rreth 12 vjet që vuaj tashmë. Disa vite më parë kur po kërkoja në Google se çfarë ushqimesh të konsumoja për të reduktuar krizat e migrenës, u ndesha me një rregjim ushqimor që quhej Whole30. Shumë njerëz e kishin testuar dhe kishin vënë re disa përmirësime në cilësinë e jetës ku një nga këto ishte dhe reduktimi I dhimbjes së kokës.
Personat që ideuan këtë rregjim 30 ditor ushqimi janë Melissa & Dallas Hartwig dhe më shumë detaje I gjeni këtu. Ajo çka ata hartuan ishte me pak fjalë një rregjim eliminimi I 5 grupeve të mëdha të ushqimeve të cilët mendohet se shkaktojnë shqetësime në shëndet. Eliminimi I tyre për 30 ditë do të bënte një pastrim të trupit dhe me rifutjen e secilit grup (një e nga një) do të mund të vëreheshin efektet në shëndet (si psh dhimbja e kokës, apo fryrje të stomakut, apo lodhje etj…)
Sipas Mellissas dhe Dallas asnjëri nga ne nuk e kupton realisht trupin, psh ne ndiejmë lodhje dhe shpesh ia vëmë fajin stresit, apo punës etj.. por në fakt mund të ndodhë që ndonjë nga ushqimet që ne konsumojmë të na shkaktojë këtë problem. Duke I eliminuar nga dieta ushqimore këto 5 grupe të mëdha, është vënë re një përmirësim I cilësisë së gjumit, më shumë fuqi për të përballuar aktivitetet e ditës, lëkurë më e pastër, më pak dhimbje koke etj… Megjithatë secili trup reagon në mënyra të ndryshme.
Bazat e rregjimit Whole 30 janë si më poshtë
5 Grupet e ushqimeve që nuk lejohen:
-
Të gjithë llojet e drithrave
- Gruri, elbi, thekra, misri, quinoa, meli, hikrra, amaranti, tefi, tërshëra,orizi, etj…
-
Të gjithë sheqernat, të rafinuara apo jo
- Stevia, mjalti, sheqeri I bardhë apo kaf, çdo lloj ëmbëlsuesi tjetër
-
Alkooli (të gjithë llojet)
-
Bylmeti, gjithë prodhimet e qumështit përveç gjalpit të tretur të cilit I është hequr çdo mbetje e qumështit
-
Të gjithë llojet e legumeve
- Fasulet, bathët, thjerrëzat, qiqrat, soja, kikirikët, bizelet (përveç mashurkave) etj…
Praktikisht, ushqimet e lejuara jane frutat në sasi të moderuar, perimet, mishi e peshku, gjalpi I tretur, vezët, farat (gjith llojet, përfshirë edhe Chia), frutat e thata e të thara (në sasi të moderuara), perlat e tapiokës etj…
Me rregulla të thjeshta është që për 30 ditë, ushqimet më lart (dhe derivatet e tyre) nuk duhen konsumuar. Pas 30 ditësh, fillon rifutja në rregjimin ushqimor duke I konsumuar një e nga një. Pra , javën e parë shtojmë vetëm drithrat ( të tjerat nuk I konsumojmë), vërejmë çfarë efekti kanë në organizëm. Më pas, heqim drithrat e shtojmë bylmetin, vërejmë efektin në organizëm e kështu me rradhë deri sa të shikoni nëse ndonjë nga produktet e eliminuara ka efekt negativ në trup. Vaktet janë vetëm 3 dhe mundësisht të konsumohen përditë në të njëjtat orare. Nëse gjatë ditës ju kap uria, mund të konsumohet diçka të vogël si një vezë të zier, ose pak fruta të thata & të thara por jo në sasi të mëdha.
Unë e kam ndjekur edhe më parë, pothuajse e bëj çdo vit, por asnjeherë s’kam mundur ta mbaj përgjatë gjithë muajit. Për këtë vit vendosa që do ta ndjek tani në mars pasi ndjej që kam nevojë për një reset të trupit. Shpresoj që të kem kohën e mjaftueshme që të ndaj me ju edhe menunë time.
Leave a Reply