Mielli, si ta njohim dhe ta ruajmë atë sic duhet

Të gjithëve në një moment të caktuar na ka lindur pyetja a skadon mielli?

Apo Çfarë mielli përdoret për bukë? Po për ëmbëlsira?

Si ta kuptojmë se çfarë shkruhet në etiketë e të tjera pyetje si këto.

Më duhet të sqaroj diçka në këtë postim, unë nuk kam mbaruar studimet për teknologe ushqimore, por siç ua kam përmendur edhe këtu, prej më shumë se 20 vitesh, kam në raftin tim të librave një libër të vjetër pastiçerie I cili shpjegon me detaje lëndën e parë që përdoret në pastiçeri si mielli, qumështi, gjalpi, sheqeri etj etj…

Meqënëse mora përgjigje pozitive në të dy anketimet që bëra ne instagram dhe facebook, sot po ndaj me ju disa informacione shumë interesante.

Era:

Mielli i freskët ka aromë të lehtë karakteristike. Era e vrazhdë dhe e thartë tregon që mielli është prishur ose marrë nga drithëra jo të freskëta. Mielli është hidroskopik, që do të thotë se ka veti të përthithë aromat  e huaja të cilat mund të ndodhin gjatë transportit apo ruajtjes në magazina. Për ta kuptuar aromën merret pak në dorë dhe ngrohet me frymë, nga kjo kuptojmë nëse mielli ka marrë aroma të pakëndshme apo jo.

Shija:

Mielli normal gjatë përtypjes ka një shije të ëmbël të lehtë. Shija e thartë tregon se mielli nuk është i freskët ndërsa shija e thartë e theksuar deri në të hidhur tregon se mielli është i prishur dhe nuk duhet konsumuar.

Lagështija:

Në paketimin e miellit që tregtohet në market shënohet edhe përqindja e lagështirës që ai ka. Përcaktimi i lagështirës ka rëndësi të madhe sepse mielli i thatë (që përmban 14% lagështi) mund të ruhet mirë gjatë gjithë vitit. Mielli me lagështi mesatare (14.5-15.5% lagështi) mund të ruhet vetëm gjatë muajve të freskët, ndërsa mielli me lagështi të lartë (15.5%-17%) mund të ruhet vetëm gjatë dimrit, pasi në stinën e verës tkurret dhe ka tendencë të kokrrizohet, gjithashtu mund të zhvillohet shumë lehtë në të edhe myku apo bakteret. Në pjesën më të madhe të paketimeve të miellit që gjendet në raftet e marketeve është e shënuar edhe përqindja e lagështirë që përmban në të.

Gluteni:

Gluteni i jep elasticitet brumit gjatë përpunimit. Sasia e tij varet shumë nga lloji i grurit të përdorur, psh gruri i fortë (durum) përmban më shumë gluten sesa gruri i butë. Gluteni i lagur është masë ngjitëse që mbetet në dorë pas shpëlarjes së brumit më ujë të ftohtë deri sa të largohet fare niseshteja që ai përmban. Gluteni me cilësi të mirë ka elasticitet dhe veti të mbajë formën, ndërsa gluteni i keq është ngjitës dhe thërrmohet lehtë. Mielli me përmbajtje të mirë gluteni thith më tepër ujë dhe si rezultat ka rreze të lartë prodhimi. Prodhime me miell të tillë nuk hapen gjatë pjekjes, por ruajnë formën. Gluteni formohet nga bashkimi i dy proteinave gliadina dhe glutenina me ujin. Miellrat me përqindje të lartë proteinike janë të përshtatshme për t’u përdorur për brumra që kërkojnë fryrje si buka, pica, paninet e ëmbla etj. Miellrat me përqindje më të ulët proteinike janë të përshtatshme për prodhime pastash, kremrash, biskotash etj. Gjithashtu në paketimin e miellit mund ta gjeni edhe këtë informacion.

Ruajtja:

Siç e kam përmendur edhe më lart, mielli ka veti të përthithë aromat e huaja, për këtë arsye është e këshillueshme të ruhet në enë me mbyllje hermetike, mundësisht qelqi.

Uroj të keni mësuar diçka dhe nëse dëshironi të keni më shumë informacion rreth lëndëve të para të tjera, mjafton të lini një koment dhe do jua plotësoj dëshirën .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading