Dita 1
Salçiçe të veshura, salcë ranch, 1/2 nektarinë
Për salçiçet:
Sasia: për 2 persona
- ½ petë sfoliatë nga ato të ngrirat
- 1 kupë kaçkavall të grirë
- 2 mini salçiçe
- Ngrohni furrën në 200° C.
- Ndani petën sfoliatë në katër katrorë me përmasa 12 x 12 cm.
- Vendosi nga një salçiçe në secilin katror dhe shtoni përsipër djathin e grirë.
- Rrotullojeni petën me kujdes dhe vendoseni në tepsi. Përsëriteni këtë proçes dhe me 3 petat e mbetura
- Piqini në furrën e ngrohur për 15 minuta ose deri sa të kenë marrë ngjyrë kafe të lehtë.
- Lerini të ftohen mirë para se ti fusni në kutinë e ushqimit.
Shtoni në kuti 2 lugë gjelle nga salca ranch (përdorni këtë recetë). Nëse kutia e ushqimit nuk ka vend të veçantë për salcat, vendoseni salcën në një enë të vogël me kapak.
Shtoni në kuti edhe ½ nektarinë në feta. Vendoseni kutinë e ushqimit në frigorifer deri në mëngjes.
Dita 2
Sushi vegjetarian, avokado në feta dhe një banane
Për sushin:
Sasia për 3 persona
- 1 kupë oriz kokërr vogël
- 1 lugë gjelle uthull orizi ose molle
- 1 lugë çaji sheqer
- ¾ lugë çaji
- 2 fleta nori
- ½ avokado, në feta
- ½ karrotë në fije të holla
- Dusa gjethe sallatë
- Përgatiteni orizin e sushit sipas kësaj recete.
- Vendosni petën nori sipër tapetit të bambusë (si në foto) dhe vendosni gjysmën e orizit. Lagni duart dhe shtrojeni orizin me kujdes në tërë sipërfaqen e fletës nori.
- Sistemini gjysmën e fijeve të karrotave dhe avokados dhe rrotullojeni fort.
- Priteni me thikë të mprehtë në copëza me trashësi 5-6cm dhe sistemiheni në kutinë e ushqimit. Copëtoni trashë fetat e sallatës dhe vendosini në kuti. Shtoni dhe ca feta avokado të spërkatura me kripë e limon.
- Paketoni pak salcë soje (opsionale) në një enë të vogël që fëmija juaj ta lyejë
Kutinë e ushqimit ruajeni në frigorifer deri në mëngjes.Vendosni gjithashtu një banane në çantën e ushqimit.
Dita 3
Sallatë me makarona, një copë çokollatë
Sasia për 2 persona
Sallata me makarona është një ide e mirë që fëmijët të hanë perime, se përsa i përket makaronave të gjithë i hanë 😂.
- 1 kupë makarona të vogla (tip flutura)
- ½ kupë domate qershi të prera
- ½ kupë kastravec i prerë
- ½ kupë kungulleshka të prera
- ½ kupë mocarela të prera
- 1lugë gjelle vaj ulliri
- Disa gjethe borzilok
- Pak majdanoz
- kripë
- Zieni makaronat sipas kohës së përcaktuar në kuti dhe shpëlajini në ujë të ftohtë.
- Ndërkohë që makaronat ziejnë, marinoni perimet dhe mocarelën me vaj ulliri dhe erëzat (borzilok & majdanoz)
- Shtoni makaronat tek perimet dhe përziejini mirë.
- Ndajeni sallatën midis dy kutive të ushqimit dhe vendosini kutitë në frigorifer deri në mëngjes.
Në mëngjes futini fëmijëve nga një kub çokollatë, si për ti llastuar paksa 😊
Dita 4
Tost me proshutë, sallatë jeshile dhe kumbulla
- 2 feta bukë
- 1 lugë gjelle majonezë
- 1 fetë djathë pice
- 2 fleta sallatë jeshile
- 1 fetë proshutë e pjekur gici
Lyeni fetat e bukës me majonezë, shtoni djathin, proshutën, sallatën dhe vendosni fetën tjetër të bukës. Mbështilleni tostin me letër transparente dhe vendoseni në kutinë e ushqimit.
Në mëngjes shtoni disa kokrra kumbulla në.çantën e ushqimit.
Dita 5
Sallatë me patate dhe ton, një kokërr dardhë
Sasia për 2 persona
- 2 patate mesatare të qëruara dhe të prera në kuba me 5cm trashësi.
- 1 lugë gjelle majonezë
- 1 tufë majdanoz të grirë
- 1 kanaçe ton në vaj ulliri
- Pak lëng limoni
- Ziejini patatet në ujë me kripë deri sa të zbuten. Kullojini dhe lerini mënjanë.
- Në një tas të vogël trazoni majonezën, lëngun e limonit, tonin me gjithë vaj dhe majdanozin. Trazojini mirë me pirun
- Shtoni salcën tek patatet dhe trazojini me kujdes që mos dëmtoni patatet.
- Ndajeni sallatën midis 2 kutive të ushqimit dhe ruajeni në frigorifer.
Në mëngjes shtoni një kokërr dardhë në çantën e ushqimit.
Këshillë: sallatat mund të përgatiten edhe 2-3 ditë më përpara, mjafton që ti mbani në frigorifer në kuti të mbyllura mirë. Kjo mënyrë bën që aromat të bashkohen mirë dhe sallatat të bëhen më të shijshme.
Leave a Reply