Me fillimin e shkollës fillon dhe stresi se çfarë do tu përgatisim fëmijëve në çantën e ushqimit për të marrë me vete. Unë ua kam dhënë gjithmonë bukën me vete dhe deri më sot nuk kam patur ankesa. Megjithatë me keqardhje vërej se në Shqipëri vazhdon akoma të jetë problem marrja e bukës me vete në shkolla. Sidomos ata më të mëdhenj në moshë të cilët preferojnë ta blejnë më mirë sesa ta marrin me vete.
Metoda ime kryesisht ka qënë paraqitja sa më e këndshme e ushqimit, aq sa u ka tërhequr vëmendjen edhe shokëve të klasës.
Për shembull, për sanduiçet kam përdorur format e biskotave për ti prerë me forma. Këtu mund të përmend forma si ajo e pemës së viti të ri, në formë dreri, në forma zemre etj.
Jam munduar që gjithmonë tu vendos nga një pjesë frut, ndonjë ushqim nga ata jo të “shëndetshëm”, të tipit çokollatë etj…
Në vijim unë do të mundohem të fotografoj çdo kuti ushqimi të fëmijëve të mi për ta ndarë me ju çdo ditë të shtune në mënyrë që të keni kohë të bëni pazaret e nevojshme dhe të keni një program gati për javën.
Kompozimi I kutisë së ushqimit:
Në terma të përgjithshëm, që të bëheni gati për javën e dytë të shkollës (se e para ikën kollaj dhe pa mësim), më poshtë po ju bëj një listë të thjeshtë të kompozimit të kutisë së ushqimit:
- Një pjesë duhet të përfshijë patjetër drithra të tipit bukë, pite, panine, minikek, etj…
- Një pjesë tjetër duhet të jetë proteina të tipit mish pule, proshutë, mish viçi, peshk ton etj…
- Një pjesë fruta dhe perime të tipit karrota, kastraveca, domate qershi, speca, rrepka, fruta të stinës sipas dëshirës dhe mundësisë ekonomike etj…
- Dhe sigurisht, për ti përkëdhelur pak mund të përfshini edhe një pjesë snacks të tipit 2 kuba çokollate, ndonjë kreker te vogël, biskotë etj…
- Pije si ujë, çaj të bërë në shtëpi, ujë të aromatizuar me fruta e plot variante të tjera.
Praktikisht Pika 1 dhe Pika 2 duhet të bëjnë 50% të kutisë së ushqimit dhe pjesa që mbetet do ta zënë fruta, perimet dhe snacks. Vetëm sigurohuni që frutat dhe perimet të mos jenë më pak se 25% e kutisë së ushqimit.
Leave a Reply