Petulla në Plloçë

Këtë kohë më paska kapur nostalgjia e gatimeve të fëmijërisë. Kjo recetë është veçanërisht e dashur për mua pasi është një nga gatimet që bënte gjyshja ime. Sot shumë njerëz i njohin me emrin petulla të fshira, por në shtëpinë tonë i quanim (dhe vazhdojmë t’i quajmë) petulla në plloçë. Ky lloj varianti petullash tigani është një version i crepè-ve vetëm se gatuhen pa vezë dhe pa qumësht. Secila familje ka versionin e saj,por kjo që po ndaj unë është versioni i gjyshes time.

Si çdo recetë familjare edhe kjo nuk ka masa ekzakte mgjt deri diku  i kam arritur rezultatet e versionit origjinal 😀.

Sasia: për 4 persona

Koha totale: 30-40 min

PËRBËRËSIT:

Për brumin

  • 1 3/4 kupë ujë
  • 1 1/4 kupë miell
  • 1 lugë çaji (tsp) kripë
  • 1 lugë gjelle gjalpë të shkrirë

Për salcën:

  • 100gr gjalpë
  • 4 -5 thelpinj hudhër
  • 100 gr djathë të bardhë (për tua hedhur sipër)
  • 1/4 kupë ujë
  1. Fillimisht përgatisim brumin. Hedhim gjithë përbërësit e brumit në një tas qelqi dhe i trazojmë mirë. E lemë të pushojë rreth 15 min. Brumi nuk duhet të dalë shumë i hollë ndaj me sy shikoni nëse ka nevojë për më shumë miell apo ujë (kjo në varësi të miellit që përdorni)
  2. Ndërkohë që presim brumin, qërojmë dhe presim në feta hudhrën (ose për ata që nuk e duan në copëza të mëdha mund ta grini në rende).
  3. Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme, ngrohim një tigan të sheshtë që nuk ngjit (ose të lyer me vaj) dhe me ndihmën e një garuzhdeje hedhim brumin mbi tigan duke e rrotulluar këtë të fundit që brumi të hapet më gjithë sipërfaqen e tiganit. E pjekim për  3 min në zjarr të ulët dhe e kthejmë nga ana tjetër duke e lënë të piqet dhe për 1 min tjetër.
  4. Pasi të jenë pjekur, i copëtojmë me dorë në pjesëza jo shumë të vogla ( psh një petë mund ta ndani në 3-4 copëza)
  5. Në një tigan tjetër shkrijmë gjalpin dhe shtojmë hudhrat. Kujdes! Gjalpi nuk duhet të marrë ngjyrë. Sapo të jetë tretur gjalpi shtojmë ujin dhe e rrahim shpejt me pirun që të bëhet një masë kremoze.
  6. I risistemojmë petëzat e pjekura në tigan dhe e vendosim në zjarr të ulët.  Shtojmë kremin e gjalpit sipër dhe i lemë petullat në zjarr deri sa të ngrohen njëtrajtësisht (max 4 minuta)
  7. Copëtojmë me duar djathin e bardhë dhe petullat në plloçë janë gati 😉.

1 Comment

  1. Christos K Kananis-Selanik-Thessaloniki-Greqia Avokat

    1 Dhjetor, 2020 at 5:41 pm

    Je e bukur. Jam me prejardhje prei Grapsht te Devollit. Nga fshati, di nje recete te thjeshte d.m.th. petulla ne plloce=Pllake guri. Por, sot, kemi aparatin crepiere ( Fr).
    Urimet e mija per Krishtlindie e Vitin i Ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading