Kjo ëmbëlsirë me miell misri është një ndër ato që më kanë shoqëruar mua që në vegjëli. Gjyshja ime ( korçare) e bënte të shkëlqyer. Të them të drejtën nuk ia di origjinën se cila krahinë e bën, por përsa kohë ma ka gatuar gjyshja dhe më pas mami mendoj se do jetë e zonës së Korçës.
Arsyeja pse quhet sodanik është për shkak të aromës së fortë të sodës së bukës. Edhe pse receta nuk kërkon shumë sodë buke, ndoshta kombinimi i saj me miellin e misrit bën që soda të ndihet shumë.
Receta e mëposhtme është varianti i saj. Konvertimi në masa është sipas mendjes time pasi si të gjitha gjyshet e mamat i hidhnin me “sy” përbërësit.
Sasia: 18-20 copë
Koha totale: 40 min
PËRBËRËSIT:
- 250 gr miell misri i imët (i verdhë)
- 300ml qumësht
- 1 gotë uji sheqer
- 1 lugë kafe sodë
- 2 kokrra vezë
- 3/4 gotë uji vaj luledielli ose ulliri
- Ngrohim furrën në 200°C
- Në një tas të madh hedhim vezët, sheqerin, qumështin dhe i trazojmë mirë me rrahëse vezësh (jo elektrike)
- Shtojmë vajin dhe e trazojmë që të bashkohet me qumështin e vezët.
- Më pas hedhim të tërë miellin dhe sodën e bukës dhe e rrahim deri sa brumi të bëhet një masë homogjene.
- E shtrojmë në një tavë qelqi drejtkëndore dhe e pjekim për 40min ose deri sa sipërfaqja të ketë marrë një ngjyrë kafe të lehtë.
- Pasi të jetë ftohur, e ndajmë në copëza katrore dhe e ruajmë në një enë të mbyllur.
- Ky lloj keku është shumë i mirë për në mëngjes, shoqëruar dhe me një gotë qumësht ose çaj
Juna
9 Maj, 2017 at 5:52 pmSodanokuuu sa shpesh e bente mami. Sa mire qe na kujtove 💋💋
Bake My Day Happy
9 Maj, 2017 at 3:53 pmEdhe mua kështu si rastësisht mu kujtua 😁