Një ndër gjërat që më bezdis më tepër është hedhja e ushqimit kur gatuan me tepri. Shpesh herë kur më ndodh të kem teprica ose i ripërdor në receta të ndryshme ose i fus në freezer për ti përdorur ditë tjetër. Nëse ju ndodh të bëni recetën e bukëve në avull dhe t’ju teprojë mbushja (mishi) , mos e hidhni por bëjeni supë. Në foto mund të duket pak e hollë, por më besoni që është plot shije pasi ka vaj susami, salcë soje, xhenxhefil etj..
Sasia: për 4 veta
Koha totale :25 min
PËRBËRËSIT:
- 1 kokërr vezë
- 50gr gjalpë në temperaturë ambjenti
- 100gr miell semolina
- Mbushja e bukëve në avull (teprica)
Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:
- Në një tenxhere hidhni 4 kupa ujë të nxehtë dhe mishin që ju ka tepruar. Vereni në zjarr deri sa të arrijë pikën e vlimit.
- Ndërkohë që baza e supës vlon përgatisim topthat e semolinës.
- Hedhim në një tas qelqi gjalpin e butë dhe vezën dhe i rrahim pak me pirun. Pastaj shtojmë miellin semolina dhe i trazojmë sa të bashkohen.
- Marrim një lugë çaji dhe e bëjmë brumin në toptha të vegjël sa një kokërr kumbull. I hedhim një e nga një në lëngun e nxehtë. Gjatë zierjes topthat do të dyfishojnë volumin ndaj nëse i doni më të vogla mund ti bëni sa një kokërr lajthi.
- E rregullojmë me kripë sipas dëshirës, ose shtojmë 1 deri në 2 lugë gjelle salcë soje nëse e preferoni dhe e lemë supën të vlojë përreth 25 minuta.