Për herë të parë, Baozi (Bukë në avull), i provuam në New York kur kaluam disa ditë pushime. Si çdo gjë deri më sot, për çdo pjatë që na ka pëlqyer kam bërë kërkimet e mia në internet për ta ritentuar edhe në shtëpi.
Kam fatin që fëmijët e mi preferojnë të hanë kuzhina të ndryshme e në këtë rast atë kineze. Ne herë pas here gatuajmë ushqime të kuzhinave ndërkombëtare. Në blogun tim kam postuar receta indiane, lebaneze, meksikane etj… E mira e përgatitjes së këtyre recetave është se mund ti përshtasësh fare mirë sipas shijeve personale të familjes.
Kjo recetë ishte një ndër to dhe mund të them që doli me shumë sukses. Receta origjinale kërkonte miell shumëpërdorimësh por meqënëse nuk kisha mjaftueshëm, unë futa dhe pak miell që fryhet vetë, mbi të gjitha receta kish dhe pluhur pjekës kështu që mendova se nuk do gaboja, dhe ashtu doli 😀.
Kam tentuar disa receta të tjera përveç kësaj që kam postuar këtu, por të them të drejtën asnjë nuk më ka dalë më e mirë.
Ps: nëse ju tepron mbushja, nga receta për Baozi (Bukë në avull), mos e hidhni në asnjë mënyrë. Bëjeni dumplings (potstickers) sipas kësaj recete
Baozi (Bukë në avull)
Përbërësit
Për brumin:
- 🔹️ 200ml kupë ujë të vakët
- 🔹️ 1 lugë çaji maja të thatë
- 🔹️ 2 lugë gjelle sheqer të bardhë
- 🔹️ 300g miell
- 🔹️ 125g niseshte
- 🔹️ 1 pakete çaji pluhur pjekës
- 🔹️ 1 lugë çaji kripë
- 🔹️ 60ml vaj luledielli
Për mbushjen:
- 🔹️ 300gr mish të grirë gici
- 🔹️ 4 qepë të njoma të prera hollë (vetëm bishtat)
- 🔹️ 3 lugë gjelle salcë soje
- 🔹️ 2 lugë gjelle vaj susami
- 🔹️ ½ lugë gjelle uthull orizi ose molle;
- 🔹️ 1cm xhenxhefil të grirë në rende
Instructions
- Në tasin e një mikseri përziejmë miellin, niseshtenë, sheqerin, kripën, majanë dhe I trazojmë pak. Më pas shtojmë ujin e vakët dhe vajin dhe e trazojmë me mikser der isa brumi shkëputet nga anët e tasit por është ende pak ngjitës.
- E lyejmë tasin me pak vaj, rrotullojmë brumin që të lyhet nga të gjitha anët dhe e mbulojmë tasin me qese transparente. E lëmë brumin të fryhet në një ambjent të ngrohtë për gati 1.5 -2 orë
- Ndërkohë që brumi vjen, përgatisim mbushjen.Hedhim në tas të gjithë përbërësit e mbushjes. I trazojmë mirë me duar deri sa të bëhet një masë homogjene
- Pasi të ketë kaluar koha e fryrjes së brumit, e marrim dhe i japim një formë tubi me trashësi dy gisht dhe pastaj e presim në copëza të vogla në total 8-10 copa
- Buka duhet të dalë shumë elastike.
- Marrim një topth dhe hapim me gishta anët e saj duke I dhënë formë disku, ndërsa mesi duhet të jetë pak më I trashë.
- Në mes të bukës, hedhim 1 lugë çaji mbushje dhe e palosim si në video. Për tu ngjitur brumi I lagim pak anësoret me ujë.
- Në majë të secilës bukë duhet të ketë një vrimë nga ku duhet të dalë avulli I mbushjes.
- Nën secilën bukë vendosim pak letër pjekjeje.
- I vendos në një tavë avulli së bashku me letrën, kjo për të evituar ngjitjen më tavë. Zierja bëhet për 17 min pa e hapur kapakun dhe minutën e fundit të lihen pa kapak për të evituar rënien e bulëzave të ujit mbi bukë
Leave a Reply