Akullore shtëpie me shije salepi

Akullore shtëpie me shije salepi

Kam patur në zotërim prej mëse 20 vitesh një libër të vjetër pastiçerie. Ky libër me siguri do ketë qënë I ndonjë dyqani ëmbëlsirash shumë vite më parë pasi dhe masat ishin të mëdha. Fati desh që ky libër (I shtypur me makinë shkrimi) të binte në dorën time. Një ditë, kur isha duke e shfletuar (e bëj herë pas here këtë me të gjithë librat e mi të kuzhinës) ndalova tek kapitulli I akullores. Fatmirësisht këtu masat ishin për 1 kilogram, sasi ideale për akulloret në kushte shtëpie apo jo? Aty pashë një recetë që më tërhoqi vëmendjen, atë që unë po e ndaj sot me ju, Akullore me Salep.

Para disa kohësh kisha blerë salep vendi në Korçë dhe përveçse ta bëja pije të ngrohtë, atë që njohim të gjithë, nuk njihja asnjë recetë ku të mund ta përdorja, deri më sot. Sipas informacioneve që mora më pas, u vura në dijeni që kjo ishte një recetë klasike turke (duhet të më kish shkuar mendja në fakt, kuzhina jonë ka shumë ndikim nga ajo turke).

E testova recetën edhe me makinën e akullores, por edhe ta ngrija direkt në një tavë metalike (nga ato ku piqet buka) dhe të dy metodat rezultuan të suksesshme. Pra, makina e akullores nuk është patjetër e domosdoshme.

Ime bijë donte ti bëja kasata kështu që një pjesë të masës e hodha në format plastike të kasatave, pra akulloren me salep e ngriva në tre mënyra të ndryshme.

Teksa fillova të lexoja recetën, vura re se paragrafët e fillimit I kushtoheshin përbërësve të akullores dhe mënyrave të ngrirjes së saj. Baza e akullores nuk është gjë tjetër sesa një bazë kremi me vezë, sheqer, qumësht & krem qumështi. Për ti dhënë shijë të ndryshme më pas shtohene dhe përbërës të tjerë. Për të qënë kremoze duhet të përdoren raportet e duhura sheqer- yndyrë , nëse ka shumë sheqer nuk do të ngrijë mirë, nëse ka shumë yndyrë del e trashë dhe e rëndë, kështu akullorja e bërë në shtëpi nuk është dhe aq e thjeshtë për tu bërë.

Ka dy mënyra kryesore për ngrirjen e saj, e para është makina e akullores dhe e dyta, mënyra tradicionale duke përdorur akull, kripë, një enë cilindrike prej metali dhe një fuçi druri (ku do të fusim brenda enën metalike)

Metoda e dytë ishte shumë interesante ndaj po e ndaj me ju:

Mbushni thuajse në gjysëm një fuçi druri me akull të përzier me kripë të ashpër. Vendosni Brenda enën metalike e cila duhet të jetë e ftohtë dhe hapësirën midis fuçisë dhe enës mbusheni me akull dhe kripë. Fusni Brenda enës kremin e ftohtë me bazë veze me përziejeni vazhdimisht me një shpatullë druri. Proçesi I përzierjes është I vazdhueshëm në mënyrë që mos të krijohet akull në anët e enës. Pas disa minutash (ok, pas gjysëm ore) do të shihni që akullorja po merr formë dhe po ngrin. Vendosni një  kapak metalik mbi enën e akullores  dhe mbusheni sipër me akull dhe kripë. Lereni akulloren të ngrijë për gati 2-3 orë.

Tani, ti rikthehemi recetës tonë. Mund të zgjidhni një nga mënyrat e mësipërme për ta ngrirë, sipas asaj tradicionale, me makinë akullore, me format e kasatave, cilën të doni me pak fjalë.

Sasia: 1 kg akullore

Koha totale: 25 minuta përgatitja, një natë ftohje e kremit dhe 4 orë ngrirje  

PËRBËRËSIT:

  • 612 gr qumësht
  • 201 gr sheqer
  • 5 gr gjalpë
  • 7 gr salep pluhur
  • 2 të verdha vezësh

 

  1. Rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin derisa te bëhen shkumë me ngjyrë të verdhë të çelët.
  2. Ngrohni qumështin dhe gjalpin në një tenxhere të vogël por pa marrë valë.
  3. Shtoni qumështin e ngrohtë mbi vezët duke e rrahur vazhdimisht në mënyrë që vezët të mos piqen. Shtoni salepin dhe trazojeni me shpejtësi.
  4. Rivendosni në tenxhere bazën e akullores dhe vendoseni në zjarr të ulët. Lereni të gatuhet për 2 minuta sa të trashet. Mos harroni që masa duhet trazuar pa pushim.
  5. Fikni zjarrin dhe kaloni bazën e akullores në një sitë të hollë në mënyrë që çdo copëz e trashë të mbetet aty. Futeni bazën e akullores në frigorifer dhe lereni aty gjatë natës që të ftohet mirë.
  6. Ditën tjetër ngrini akulloren me një nga metodat e mësipërme dhe lereni në ngrirje për gati 4 orë që të përfundohet proçesi.

Nëse do përdorni një formë buke metalike për ta ngrirë akulloren, vendosni një qese trasparente mbi sipërfaqe që mos formohen kristale akulli.

Për kasatat që unë bëra I shtova ca manaferra për më shumë shije, por sigurisht mund të përdorni edhe kanellë që shkon shumë me salepin. Këtu mos më kërkoni foto pasi u hëngrën sa hap e mbyll sytë. Më falni ☺

PS: Fotot u shkrepën në 41 grade Celsius ndaj akullorja ka filluar të shkrijë paksa ☺☺☺☺

 

 



Këtë e pëlqejnë %d blogues: