Qofte Falafel

Qofte Falafel

Zakonisht të shtunave apo  të dielave, në shtëpinë tonë gatuhet ndryshe gjatë javës, sigurisht duke qenë se kam më tepër kohë për tu marrë me gatimin dhe jam më e shplodhur.

Këtë të diel vendosa të gatuaj qofte falafel të cilat I shoqëruam me humus dhe baba ganush (recetat I gjeni këtu:).

Në fakt receta e qofteve është marrë nga një nga librat që mbaj si thesar në raftin tim dhe shyqyr që e hapa se të them të drejtën dy herë që kam provuar ti bëj këto lloj qoftesh, me kanë dështuar, po keq fare ama (m’u tretën tërësisht në vaj).

Kjo ndodhi sepse unë përdora fasule dhe qiqra në kanaçe, gjë që nuk duhej bërë absolutisht (epo tani e di, se po ta kisha ditur më parë sigurisht që nuk do ta kisha bërë atë gabim). Ndiqni më poshtë recetën e cila është shumë e thjeshtë për tu përgatitur.

Sasia: 20 qofte falafel

Koha totale : 50 minuta

PËRBËRËSIT:

  • 1 kupë bathë të thata
  • 1 kupë qiqra të thata
  • 1 qepë e prerë në kuba
  • 6 thelpinj hudhër të copëtuar trashë
  • 5 lugë gjelle ( Tbsp.) majdanoz I grirë
  • 3 lugë çaji (tsp) kumin
  • 2 lugë çaji (tsp) koriandër I grirë (ose kokërr siç përdora unë)
  • 1/2 lugë çaji (tsp) kripë
  • 1/2 lugë çaji (tsp) sodë buke
  • 1/4 lugë çaji (tsp) piper I kuq jo djegës

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Përgatitja filloi të shtunën paradite, ku futa në ujë qiqrat dhe bathët e thata, të cilat duhet të rrinin në ujë për gati 24 orë. Gjatë kësaj kohe ia ndërrova ujin 2 -3 herë pasi edhe bathët edhe qiqrat thuajse 3-fishuan volumin dhe kishin nevojë për ujë shtesë.
  2. Të nesërmen, kulloni mirë qiqrat & bathët dhe thajini mirë me picetë.
  3. Futini në mikser të gjithë përbërësit dhe bluajini mirë deri sa masa të jetë thuajse homogjene.
  4. Vendoseni në një enë qelqi dhe lereni mënjanë për gati 30 minuta
  5. Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme, me duar pak të lagura merrni nga një lugë gjelle plot nga brumi, jepini një formë rrumbullake dhe shtypini pak me pëllëmbën e dorës
  6. Skuqini në vaj shumë të nxehtë deri sa të marrin një ngjyrë kafe të fortë si në foto.

Për ti shoqëruar , vendosni pak salcë humus dhe pak baba ganush në një pite, sipër vendosni disa gjethe sallatë jeshile, disa qepë të prera dhe dy- tre qofte falafel. Spërkateni me pak kos përsipër ose pak salce pikante (opsionale) dhe shijojeni gjithë lezet ☺☺


Related Posts

Biskota me vaj ulliri dhe arrë kokosi

Biskota me vaj ulliri dhe arrë kokosi

Këtë recetë e kam përshtatur nga receta e Mandarina, një bloger-e shqiptare të cilën dua ta falenderoj për recetat e këndshme dhe të thjeshta që poston. Një ndër “difektet” e mia është që në çdo recetë të huazuar bëj ndonjë ndryshim, po kështu bëra dhe kësaj […]

Humus dhe Baba Ganush (Baba Ganoush)

Humus dhe Baba Ganush (Baba Ganoush)

Në familjen time zakonisht fundjavave eksperimentojmë me kuzhinat e huaja dhe fundjavën e kaluar kishim ditën e gatimeve arabe (po them arabe pasi nuk ua di origjinën ekzakte dhe nuk dua të krijoj komente të tipit “ ia ke fut kot se këtë gatim e […]



Këtë e pëlqejnë %d blogues: