Deri tani keni lexuar disa artikuj nga unë sikur të isha … ku di unë… një tekstshkruese për ndonje revistë online. Do keni menduar, po kjo ç’pati? Si i erdhën këto idera për të kaluar nga një bloger ushqimi në disa tema sociale (le ti quajmë kështu). Por pak durim miq, e kam një qëllim se ku dua të dal. Nuk do ju zvarris gjatë në këto mendimet e mia filozofike, dhe Jo… nuk kam pësuar ndonjë goditje hahahaah… akoma jo dmth 😁.
Do ti kthehemi sërisht gatimit, por deri atëhere, do ju vërtis pak në këto mendimet e mia së fundmi. E kur ti lexoni do thoni… Ahaaaaa, këtu e paska pas kjo, po pse na lodhi xhanëm, ti kish rënë shkurt.
E unë do them, a ju kujtohet artikulli i parë? Që më vërtetuat që nuk jeni përtacër për të lexuar? Ja praaa, prandaj ju shëtita pak nëpër këto artikuj.
Ok, ok më falni për tonet satirike, por të dalim tek ajo që dua t’ju them për sot dhe planet që kam për të ardhmen.
E kam titulluar postimin e sotëm Kuzhina që sjell pavarësinë…
Po Përse ka kaq rëndësi kuzhina?

Kur kemi festa-mblidhemi për të ngrënë;
Kur duam të shplodhemi-mblidhemi për të ngrënë (jashtë dmth).
Kur je i mërzitur, një gatim i mirë të ngre humorin
Kur duam të kënaqim dikë të zemrës-mblidhemi për të ngrënë (dmth i gatuajmë diçka të mirë)
Një pjatë me shije nga fëmijëria të mbush me gëzim edhe në ditët më të zymta.
Sa nga ju kanë nisur ti përfshijnë fëmijët në gatim?
Unë e nisa vonë. Më saktë, nuk e nisa fare. Siç më keni ndjekur, ne në shtëpinë tonë kemi gatuar shije nga shumë etnicitete të ndryshme. Nga kuzhina Meksikane, ajo Indiane, Libaneze, Afrikane etj… Sigurisht këto fundjavave ose ditëve të pushimit, se gjatë javës, strikt Shqiptare. Kjo ka zhvilluar shumë shqisat e shijimit të fëmijëve të mi. Mendoj ky ka qënë hapi i parë që i shtyu fëmijët e mi në kuzhinë, që të eksperimentojnë vetë me recetat e tyre.
Të mësuar me shumë shije. E prej kësaj, më kërkonin që ti lija të gatuanin vetë. Në shumicën e rasteve nuk i lejoja të gatuanin. E imagjinoni dot? Rrëmuja, frika e dëmtimit nga thika, 100 enë për të larë. E kush kish nge të merrej edhe me këtë. Po nga ana tjetër ky ka qënë një gabim i madh. Kuzhina (gatimi dmth), sjell pavarësi. Po po, PAVARËSI!
Përse kuzhina sjell pavarësi?
Epo fëmijët tanë nuk do mbeten bebe përgjithmonë. E me një shënim nga autori, më besoni, rriten shumë më shpejt se sa ua thotë mendja. Vjen dita që në rastin më të mirë do dalin shtëpi më vete por në qytetin tuaj, e në rastin më pak të mirë, do ikin larg, mbase me studime apo për një jetë tjetër. Si çdo mama që e vret mendjen për fëmijët e saj, kur ata dinë të gatuajnë, themi : Epo të paktën yzmetin gojës së tyre do ia bëjnë.
Por që mos ta shohim kaq ngushtë. Nuk është puna vetëm te goja e tyre. Në fund të ditës nuk është thjeshtë një çështje gatimi. Është një mënyrë për t’u dhënë atyre një copëz sigurie që do ta marrin me vete kudo që të shkojnë. Kur dinë të kujdesen për veten, kur dinë të krijojnë diçka me duart e tyre, ata nuk janë më të varur- janë të lirë.
Dhe ndoshta kjo është dhurata më e madhe që mund t’u japim: aftësinë për të qëndruar në këmbët e tyre, edhe kur ne nuk jemi aty.
Leave a Reply