Disa përjetime të një blogereje të thjeshtë

Kur e nisa këtë blog, në 2017, fiks 9 vjet më parë, e nisa me idenë të ndaja recetat që gatuaja unë. Të jem e sinqertë, doli pak dhe si në modë blogerimi në atë kohë dhe ajo që unë dija të bëja, ishte të gatuaja. Ndaj dhe kështu lindi Bake My Day Happy. Si një ditar elektronik i recetave të krijuara, gatuara apo huazuara nga unë.

Pak veta e dinë origjinën nga e mora emrin, por për ju që jeni të rinj po jua ri them. U frymëzova nga Bake My Day në filmin e animuar Despicable me 2. Ky emër përshkruante saktë edhe ndjesinë që mua më jep gatimi.

Duke shkruar recetat e duke mësuar si duhet postuar, kuptova që përveç gatimit, më pëlqente vërtet shumë edhe të shkruaja. Por këtu lind paradoksi!

Shqiptarët (por besoj jo vetëm), përtojnë të lexojnë!!

Shpesh sheh meme të tipit : “Boll na the historinë e jetës po na jep recetën” dhe gjatë rrugëtimit tim fillova ti shkurtoja tekstet hyrëse që shoqëronin çdo recetë, pikërisht për ti kursyer vetes këtë tallje. Po kjo ka edhe anën e saj negative. Më bëri mos ti shijoja aq shumë shkrimet e mia. Jeta e shpejtë na ka bërë që informacionin ta përpijmë shpejt dhe ta harrojmë po aq shpejt.

Harrojmë që gatimi është i lidhur ngushtë me përjetimet, historitë e jetës, kujtimet, dhimbjet, përmallimet etj, quajeni si të doni. Kushdo që adhuron ushqimin dashur pa dashur do shprehë edhe diçka përtej recetës. Ndaj dhe shpesh blogjet e gatimit nisin me një mini histori para recetës. Ne, personat që ju përcjellim recetat tona, duam që përveç shijes, t’ju transmetojmë dhe pak ndjesitë tona të lidhura me atë recetë. Ama, duke dashur ti përshtatemi trendit, harrojmë dhe frymëzimin që bëri të mundur edhe fillimin e çdo gjëje.

Tik-Toku & Instagrami- këta shkatërrues të dëshirës aftësisë për të lexuar

Në fillim ishin gazetat & revistat. Pastaj teknologjia eci përpara dhe nga media e shkruar kaluam në faqe web, apo siç njihen ndryshe, blogje. Paralel edhe Youtube fitoi popullaritet sepse normal, informacioni i marrë nëpërmjet videos ishte më pak i lodhshëm sesa ta lexoje. Normal që edhe vizualizimi ishte më i mirë, sidomos për gatimet.

Pastaj erdhi instagram, filluan të numërohen followers, lufta për të marrë shikueshmërinë, trendin, vëmëndjen. Njerëzit mësuan të ndërveprojnë me komente, ca të mira e ca të liga. Nga gjithë ajo mori informacioni, sa më shumë shihnin, aq shumë ulej durimi që ti shkonin fjalëve të shkruara deri në fund.

Dhe pastaj erdhi ai, Tik-Toku i famshëm që i shapllamosi durimin njerëzve aq sa edhe ato pak fjalë apo video mbi 3 min në Instagram dukeshin si hartimet e klases së 6-të. Të gjithë u marrosën dhe harruan si është të ndalesh e të lexosh diçka më të gjatë se 10 fjalë. Don’t get me wrong, fus edhe veten time këtu te këta të shapllamosurit. Megjithatë, sa herë lexoj një artikull të shkruar bukur (si psh blogu i Delfinës), e kuptoj që ka ende shpresë për mua, nuk e kam humbur ende aftësinë e të shijuarit të një artikulli të shkruar bukur.

Nëse munde të lexosh deri këtu, i bie që ka ende shpresë edhe për ty, por edhe për mua se i bie që shkrimi im ka qënë interesant 🤣🤣🤣🤣🤣.

Nëse arrita të të mbaj deri këtu, atëhere kemi një shans të mirë të takohemi sërisht…. në shkrimin e rradhës.

8 Comments

  1. E lexova me ëndje deri në fund. Nuk duhet te ndalesh se rrefyeri historine pas nje recete per njerezit qe nuk duan te lexojne, sepse eshte gjithmone nje kategori e ketille qe nuk do perputhet me vizionin tend. Ato me mire te largohen fare. Prandaj duhet te vazhdosh te shkruash per ne “shpirtrat e vjeter” qe e kuptojme dhe e ndjejme pasionin tend. Ne fund ka rendesi kush e pelqen dhe e perqafon ate qe ti bën. ♥️

    1. oh sa koment i bukur. Jo jo, nuk jam nga ato që dorëzohem unë. Thjesht më duhet pak kohë për frymëzim dhe fatmirësisht, sikur po e ndjej të rigjallëruar disi 😍😍😍😍

  2. Ke te drejte e dashur,sot nuk kane me durim te lexojne dy rreshta jo gjithe kete hartim qe kr bere ti 1🤣,por te shpresojme qe ka shprese per te gjithe

    1. Hahaha, populli thotë që Sa ka jetë, Ka shpresë! dhe unë nuk heq dorë kollaj 😊😊

  3. Patjetër që e lexova deri në fund, pasi ndaj ekzaktësisht të njëjtat mendime.
    Unë ashtu si ty, e lidh shijen e një recete të caktuar me njerëzit që nuk i kam më pranë, me ditët e bukura e të largëta të fëmijërisë… petullat e ngohta me reçel dhe djath të dielën në mëngjes, më kanë kujtuar mamin tim në 25 vitet që ajo nuk është më me ne fizikisht, dhe falë shijes së veçantë të kombinimit të të ëmblës dhe të kripurës arrij ta ndiej ende pranë shikimin e saj të lumtur teksa haja gjithë kënaqësi ato petulla të ngrohta! Të falënderoj që ma kujtove këtë ndjesi, thjesht me rrëfimin tënd (e nuk u detyrova të bëja brum😅)!

    1. Ky është dhe thelbi i blogut tim, jo vetëm për të rikujtuar ato momente të bukura që sot duken kaq larg, por edhe si trashëgimi për fëmijët e mi dhe brezat që do vijnë (nëse do kem kaq fat dmth). ❤️❤️❤️❤️

  4. Jo vetëm të lexova, por i perpiva ato që ke shkruar!!Të lutem vazhdo,se me pëlqen aq shumë shpirti dhe bota jote!!Go,go girl 🥰❤️

    1. Oh, faleminderit shumë shumë ❤️❤️

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading