Pas sorbetos së ananasit në Ninja Creami, i erdhi rradha të provoja Sorbeto Kajsie me vetëm një përbërës. Teknikisht nuk është një përbërës se ka kajsi, ujë e sheqer pra komposto. Megjithatë, meqë shitet e përgatitur në një kanaçe të vetme, e quajta një përbërës.
Kur ble një pajisje, preferoj të testoj disa receta të thjeshta para se të kaloj te artileria e rëndë. Kështu, pas kompostos së ananasit i erdhi rradha kompostos së kajsisë.
Unë pajisjen e bleva në Nëntor dhe normalisht kajsitë në këtë periudhë nuk janë të sezonit. Kur kajsia të jetë e stinës do ta tentoj me frut të freskët.
Po kajsitë në kanaçe kanë përfitime ushqyese?
Pyetje e bukur kjo. Unë i rashë shkurt se kisha një kanaçe në dollap prej disa kohësh. Megjithatë ka kanaçe e kanaçe. Gjithmonë lexoni etiketat. Ka komposto që në përbërje kanë frut, ujë & sheqer, ka nga ato që kanë dhe një listë aditivësh që as emrin s’ua lexon dot. Ka dhe komposto më të shëndetshme që kanë në përbërje frut dhe lëngun e frutit, pra përmbajnë vetëm sheqerin e frutit dhe jo shtesa. Në varësi të produktit që blen, edhe sorbeto të del e shëndetshme apo më pak e shëndetshme.
Do thoni ju (ose ata që kanë gjithmonë një koment për të bërë), po të hash një kanaçe të tërë, sado vetëm frut, a nuk është shumë sheqer prapëseprapë?
Koment me vend posi! Më lejoni t’ju informoj që sasia e një tasi të akullores ninja creami është e mjaftueshme për 4 persona. Tani sigurisht që mund ta mbarosh edhe vetë pa lëvizur vendit të gjithë tasin, por këtu nuk ta ka fajin kanaçja e kompostos 🤣🤣🤣.
Si mund ta përgatisim këtë Sorbeto Kajsie me vetëm një përbërës?
Tani që mos bëjmë sikur po bëjmë shkencë, kjo zor se mund të quhet recetë gatimi. Mgjt ja mënyra se si përgatitet:
Sorbeto Kajsie me vetëm një përbërës
- Transferojmë përmbajtjen e kanaçes tek ena e akullores.
- E ngrijmë enën për 24 orë
Gjatë proçesit të ngrirjes duhet të kujdesemi që ena të rrijë në sipërfaqe të sheshtë në mënyrë që përmbajtja të ngrijë drejt.
- Para se ta bluajmë:
Një këshillë që përmbajtja e tasit të bluhet mirë. Para se ta bluajmë, e kalojmë enën nga jashtë në ujë të nxehtë për 30 sek. Kjo bën që masa të shkëputet nga ena dhe të bluhet mirë.
- E bluajmë në Ninja Creami dhe e shijojmë, mundësisht jo tërë enën vetëm.
Tani hapat që ju shkruajta më lart, i gjeni në videon e mëposhtme. Ju mbetet vetëm të blini një Ninja Creami hahah.




Leave a Reply