Kam postuar edhe më parë Salcë domatesh të bërë vetë por ky version është pak a shumë si ajo passata di pomodoro e italianëve. Ja psh kjo receta këtu është një version i salcës me domate për pica. Mund ta bëni edhe atë dhe të keni siguruar salcë për të tërë dimrin.
Po pse duhet të lodhemi për Salcë domatesh të bërë vetë në shtëpi?
Ok, tani ato skeptiket do thonë: Aman o gru, sa salcë ka dyqani pse duhet me u lodh me e bo vetë, pa le ku ta ruajmë etj etj.
Po, qëndron edhe kjo. Nuk ke pse i hyn fare angarisë as të blesh domate nëse ke të tilla mendime. Edhe unë ble salcë në dyqan, kur nuk e kam bërë vetë, e gjithmonë pendohem. Salca e përgatitur me domatet e stinës, në kulmin e shijes së tyre, nuk ka të krahasuar.
Si ta përgatisim salcën e domates të bërë vetë?
Siç e kam treguar në videon këtu më poshtë, unë kam përdorur veglat e mia të preferuara për të bërë salcën shpejt. Kjo nuk do të thotë se pa të nuk bëhet. Që të jemi të qartë dmth. Përgatitja e zaireve daton me shekuj përpara. Nevoja e bëri njeriun të ruante ushqimet jashtë sezoni.
Pra, njerëzimi ka ditur shekuj më parë të përgatisë salca, reçelra, mish pastërma, turshi, fruta-perime të thara etj etj. Sigurisht që në ato vite ska patur as elektricitet e jo më mjete moderne për ti përgatitur.
I rashë pak gjatë për të dalë shkurt që nëse ju mungon aksesori i shtrydhjes së domateve dhe tenxherja elektrike, nuk do të thotë që salca nuk bëhet.
Mund të përdorni një rende, mund të përdorni një mikser me thika, nutribullet… çdo pajisje që ta kthejë domaten të lëngshme. Dhe sigurisht një tenxhere normale për ta gatuar pak salcën.
Si e kam përmendur në çdo postim që për konservim (reçel apo salcë) e vetmja angari para është sterilizimi i shisheve dhe kapakëve ku do ruhet salca. Pa këtë hap i gjithë mundi do ju shkojë dëm. Unë gjeta një metodë të thjeshtë. I vura të tëra në lavastovilje, edhe u lanë edhe u thanë me avull në temperaturë të lartë. Kur salca ishte gati, edhe shishet edhe salca ishin të nxehta ndaj vakumi u krijua kollaj. Nëse ndodh që salca është e ftohtë, mjafton ti taposni mirë shishet, e ti jepni një valë në tenxhere. Më pas kokëposhtë në banka dhe janë gati për në dimër.
Salcë domatesh të bërë vetë
Përbërësit
- 🔹 4 kg domate të ndryshme të buta
- 🔹 1 lugë çaji kripë
- 🔹 Borzilok i freskët
- Për salcën me domate qershi të freskëta ju duhen shtesë edhe :
- 🔹 500g domate qershi
Instructions
- Domatet e lara e të thara i shtrydhim në aksesorin për salcë domate ose i grijmë në rendë në mungesë të shtrydhëses.
- Lëngun me tul të përftuar e hedhim në texhere.
- Shtojmë kripën dhe e lëmë të gatuhet në temperaturë mesatare për gati 20 minuta duke trazuar vazhdimisht.
- Kur salca është lidhur pak, e transferojmë në shishet e qelqit të sterilizuara më parë.
- Në secilën prej shisheve shtojmë gjethe të freskët borziloku.
- Në rast se doni të ruani edhe domate qershi, atëhere shtoni disa domate të vogla në disa shishe, dhe mbusheni me salcë deri sa të mbulohen domatet. Shtojmë edhe pak borzilok.
- I taposim shishet, duke përdorur një picetë që mos digjemi, e i kthejmë përmbys mbi banak. Kjo siguron krijimin e vakumit.
- Salca jonë është gati.
Leave a Reply