Çfarë është dehidratori dhe a na duhet një?

Vërtet, çfarë është dehidratori dhe a na duhet një? Pyetje e bukur shumë kjo. Unë e kam një shtëpi (kam patur dy në fakt). Ndaj nëse më pyet, do të thoja PO, normale hahaha.

Megjithatë, le ti marrim pak shtruar impulset dhe të bëjme blerje me mend. Po ju shpjegoj pak çfarë është dehidratori. Po para kësaj, lejomëni t’ju them që jam e lumtur se sot e gjejmë thuajse në çdo vend që shet elektroshtëpiake. Për herë të parë u ndesha me dehidratorin rreth vitit 2009 dhe ishte inekzistent këtu te ne, ama sot, them se kemi ecur shumë përpara, pasi gjendet kudo. Flas për formatin për përdorim familjar, pasi besoj ai industrial ka qarkulluar…ndoshta.

Po çfarë është dehidratori dhe për çfarë përdoret?

Dehidratori apo në shqip tharësi i ushqimeve, dehidraton ushqimet. Pra i than ato, i heq lagështirën. Kjo metodë siguron jetëgjatësinë e tyre. Në fakt proçesi i tharjes së ushqimeve daton që nga lashtësia. Është një nga mënyrat më të lashta të ruajtjes së ushqimeve. Flas këtu për mishin apo peshkun, për perimet dhe frutat e stinës. Ama në lashtësi (në fshat vijon ende) përdorej ajri, dielli dhe shumë kohë në dispozicion.

Ditët e sotme në jetën urbane të ngarkuar, na mungon hapësira, koha dhe … dielli 😅. Por, ne duam të hamë mirë dhe ti ruajmë edhe gjërat e stinës, sidomos kur na sjellin shumë. Të gjithëve na ndodh të na sjellin nga fshati gjëra të mira. Për mos ti cuar dëm, tharja është një metodë e mirë e këtu na hyn në punë dehidratori apo në shqip tharësi i ushqimeve. Në fotot më poshtë keni disa nga gjërat që unë kam tharë në dehidrator.

A harxhon shumë energji elektrike?

Edhe kjo pyetje qëndron. Do thoni ju, o Nevila, ti thua 4-5 orë, 10 orë… po a na rëndon kjo në faturën e energjisë?

Tipikisht një dehidrator për përdorim shtëpiak, konsumon gati 100Watt për një orë. Nëse e lëmë në punë për 10 orë, i bie që konsumon 1kilovat pra rreth 9,5lek. Nuk do të thoja që na rëndon shumë faturën, pasi nuk e përdorim përditë dhe gjithë kohës. Ama, nëse tharjen e bëjmë me furrë, puna ndryshon, pasi konsumi i energjisë mund të jetë dhe 10fish më shumë sesa me dehidratorin.

Shkurt, përgjigjja pra është Jo, nuk na e rëndon shumë faturën. Më shumë shoh problem hapësirën që na zë në dollap sesa në faturën e energjisë.

Për kë është më e përshtatshme dehidratori?

Për të gjithë ata që përmbushin pikat e mëposhtme:

  • Kanë hapësirë mjaftueshëm në kuzhinë apo dollape
  • Kanë shpesh gjendje në shtëpi ushqim me shumicë (psh, fruta perime sepse kanë baçe apo ia sjellin nga fshati, ose blejnë mish me shumicë etj)
  • Janë familje e madhe dhe konsumojnë shumë ushqim
  • Preferojnë të ruajnë ushqimet e sezonit
  • Më ngjajnë pak mua që po se pata një pajisje në shtëpi më bie të fikët hahahah.

A ia vlen të investoni për një dehidrator?

Edhe këtu, do ju them të njëjtën përgjigje si në postimet e tjera të elektroshtëpiakeve. Sot të blesh një dehidrator nuk është e vështirë pasi gjen dhe opsione ekonomike. Por puna nuk është vetëm ta blesh, por ta përdorësh. Nëse ke arritur të lexosh deri në fund, atëhere je në gjendje ti kthesh përgjigje vetes nëse të hyn apo jo në punë. Nëse i je përgjigjur me po apo e ke gjetur veten te pikat më lart, atëhere po, mund të investosh te nje dehidrator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading