Supë me pashaqofte- mënyra ime e thjeshtë për të përgatitur këtë supë kaq të shijshme.
E kam thënë dhe rithënë që recetat tradicionale gatuhen me variacione sipas familjeve. Disa I shtojnë ndonjë perime, disa ndonjë erëz, e disa të tjerë janë striktë sipas mënyrës klasike. Po kush quhet klasike në një recetë tradicionale?
Për shembull, nëse stërgjyshja, gjyshja, mamaja e pastaj bija e gatuajnë sipas të njëjtit version, a do quhej tradicionale klasike? Besoj se po.
Po nëse stergjyshja ka bërë ndonjë “shtrembërim” të recetës klasike ndoshta nga halli, çfarë ndodh? Ndodh që gjyshja, mamaja e pastaj bija kanë mësuar të gatuajnë një recetë tradicionale të “shtrembëruar” nga klasikja. Po a e bën kjo gjë, më pak tradicionale recetën e gatuar nga familja më lart?
Kësaj pyetje po ju lë të përgjigjeni ju në momentin që do mendoni se receta për supë me pashaqofte- mënyra ime nuk është tradicionale .
Megjithatë, thënë sa më lartë, personalisht do të pëlqeja të lexoja në koment se si e përgatisni ju, ose paraardhësit tuaj. Kam dëgjuar dhe parë shumë versione dhe me shumë dëshirë do të doja ti gatuaja të gjitha. Disa I hedhin qumësht, disa miellin e skuqin përpara, si tip roux (ru), disa të tjerë nuk I hedhin erëza.
Supë pashaqofte- receta ime

Notes
Këshillë: Qoftet mund ti parapërgatisni dhe ti mbani në ngrirjë për ti përdorur sa herë t’ju nevojitet.
Përbërësit
️ 300g mish viçi i grirë
️ 1 filxhan kafeje me oriz supe
️ 1 tufe majdanoz
️ 1 tufë kopër
️ 1 lugë çaji nenexhik
️ ½ lugë çaji kripë
️ piper të zi sipas dëshirës
️ 1 karotë e prerë në kuba
️ 1 degë selino e prerë në kuba
️ 1 lugë gjelle miell
️ 1 kokërr vezë
️ 2 lugë gjelle vaj ulliri
️ 1 litër lëng mishi ose ujë
️ ½ kokërr limon (lëngu)
Instructions
- Në një enë qelqi përziejmë mishin e grirë, gjysmë filxhani oriz, të bardhën e vezës (të verdhën e lëmë mënjanë), kripën, piperin dhe erëzat. Me duar të njoma I japim formë qofteje dhe I lëmë mënjanë.
- Skuqim në tenxhere në pak vaj ulliri karotën dhe selinonë deri sa të zbuten.
- Shtojmë lëngun e mishit ose ujin, dhe e lëmë sa të vlojë.
- Të gjitha qoftet I kalojmë tëk mielli duke u siguruar që të vishen mirë.
- I hedhim në lëngun që po vlon në tenxhere ashtu siç janë, me gjithë miellin e mbetur.
- Shtojmë edhe gjysmen e mbetur të orizit dhe I lëmë të vlojnë deri sa të ketë zier orizi.
- Fikim zjarrin dhe në një pjatë të vogël rrahim të verdhën e vezës që lamë mënjanë së bashku më lëngun e limonit.
- Hedhim mbi vezën 1 garuzhde lëng nga supa dhe e trazojmë shpejt. Kjo bën të mundur që mos pritet veza. E kalojmë masën tek supa dhe e trazojmë. Rregullojmë shijen me kripë, piper e limon dhe e shijojmë të ngrohtë.
Leave a Reply