Mëngjesi sot është trahanik me trahana të ëmbël. Është një modernizim i asaj çfarë më jepte gjyshja ime në Korçë kur isha e vogël.
Ajo e quante trahanik dhe unë kështu do ta quaj sot.
Në fakt më lejoni të shkruaj edhe disa kujtime që kam lidhur me këtë pjatë. Në vitet 80-90 nuk ishte kaq e lehtë të gjeje përbërës siç mund ti gjesh sot. Të siguroje për shembull trahananë e ëmbël, nuk ishte dhe aq e lehtë. Pra, nëse të mbaronte ajo çfarë kishe përgatitur, nuk mund të dilje ta blije në dyqan. Jo se ishte e palejuar, por thjesht nuk gjeje.
Duke qënë se ishte e preferuara ime, gjyshja ime ma përgatiste shpesh. Një ditë ia kërkova me ngulm dhe ajo nuk kishte. Mbaj mend se më tha që nuk kishte grurë gati dhe nuk mund ta shtypte tek mullixhiu. Sot, që e di proçesin e bërjes së kësaj trahanaje e kuptoj pse më tha ashtu. Megjithatë, në shpëtim erdhi nusja e dajës e cila kishte pak rezerva dhe kështu nëna ime ma gatopi., Ky ka qënë dhe trahaniku më I shijshëm që e mbaj mend sot e kësaj dite.
Kjo lloj trahanaje është thjesht grurë I regjur në qumësht, I tharë sërisht dhe I bluar. Për fat sot gjendet kollaj, sidomos në Korçë. Kështu edhe ju mund të provoni recetën time për trahanik me trahana të ëmbël.
Trahanik me trahana të ëmbël
Përbërësit
- 🔹️ 200g trahana gruri (grurë i zbutur në qumësht dhe i tharë)(1 gotë uji plot)
- 🔹️ 400ml ujë (2 gota uji)
- 🔹️ 1 lugë gjelle sheqer
- 🔹️ pak kanellë
- 🔹️ pak kripë
- 🔹️ 25g gjalpë
Instructions
- Ndezim furrën në 230°C.
- Në një tigan që futet dhe në furrë skuqim gjalpin dhe shtojmë trahananë.
- E skuqim disa sekonda deri sa ndjejmë aromë lajthie dhe shtojmë sheqerin, kanellën dhe ujin. E fusim tavën në furrë dhe e lëmë të piqet deri sa ta ketë thithur gjithë ujin.
- Pasi është pjekur, e lëmë të ftohet dhe e presim sikur të ishte kek.
- Unë e servira me kos, mjaltë e fruta, ndërkohë gjyshja ime në atë kohë vetëm e spërkaste me sheqer përsipër.
Leave a Reply