Vit I ri me objektiva të reja;
A nuk e nisët dhe ju vitin me të tilla premtime? Jo? Epo unë ja që e nisa, e kam në plan ta mbaj. Kam vendosur që 2020 do jetë viti im I parë I planifikuar saktë. Kur I vendos vetes objektiva, së pari duhet të jesh I qartë që nuk mund t’i caktosh vetes objektiva që nuk mund të realizohen. Do ishte dështim që në fillim.
Ndaj unë këtë vit mendova që ta nis thjeshtë. Të vazhdoj #sfidaedollapit, e cila më orientoi shumë në lidhje me pazaret e kota dhe të bie nga pesha. Kjo e dyta është më e vështira, por I kam treguar vetes që ia dal, dhe do ia dal! Pastër, qartë, bukur!
Janari është muaji ideal që të rinis me #sfidaedollapit, pasi dihet që të gjithë ne shpenzojmë pak si tepër për festat e fundvitit, ndaj kemi nevojë të pastrojmë dollapet. Çështja është, si ta kombinoj me rregjimin ushqimor thuaaaaaajjj ☺. Gjatë sfidës së dollapit në muajt Shtator-Tetor, planifikimi më ka shpëtuar kohë dhe shpenzime të kota.
Për këtë arsye, do bëj një listë të gjatë, jo vetëm për javën, të gatimeve që më duhen, duke u bazuar në planifikimin e recetave që do gatuaj për këtë muaj.
Gjithashtu kam menduar që këtë muaj, të bëj një masterplan shpenzimesh.
Një buxhet të ndarë në zëra dhe të mbaj shënim, çdo shpenzim faktik të kryer. Pra do bëj një buxhet mbi shpenzimet fikse (që çdo familje ka pothuajse), një buxhet mujor mbi detergjentet e shtëpisë, dhe një buxhet mujor fiks për të ngrënat.
Muaji janar do më tregojë konkretisht se kush nga këta zëra na rëndon më shumë në xhepin tonë. Mund të ngjajë pak si shkencë kjo që shkruajta pak më lart, po më besoni që nuk është.
Tani ta thjeshtojmë pak, nëse e ndan me mendjen tënde se ke vetëm 5000 lek në dispozicion për t’I harxhuar për një muaj, a nuk do ju bënte të mendonit dy herë para se të blini budallallëqe? Psh, do blinit bukë e djathë vezë për të shtyrë muajin, apo Sushi e më pas fry sytë?!
Ndoshta e banalizova pak, por besoj se e kuptuat çfarë dua të them.
Shpenzimi për të ngrënat është njësoj si me veshjet, duhet të mendoni, A më duhet realisht ta blej? Bëj disa xhiro në market, e nëse vërtet mendon se të duhet, blije, por sigurohu ta gatuash, ndryshe të shkon dëm.
Dil në pazar pasi ta kesh përgatitur listën e shpenzimeve.
Nëse nisesh me një listë që nga shtëpia, atëhere, bli vetëm ato që ke shënuar e mbathja me të katra, ndryshe dështove!! Tani të jem e sinqertë, unë ndaloj vetëm ke frigoriferi I fruta perimeve dhe sektori I ushqimeve etnike (Aziatike/Meksikane/Indiane etj..). Më intrigon shumë nëse gjej diçka me ofertë dhe më tundon ta blej. Tani, dreqi ta hajë, me ofertë është, ia vlen, se mos I nxjerrin ofertat shpesh këto marketet tona…
Ja pra, e shikoni që mendjes time nuk I besohet nëse del pa listë?!
Nejse, të bëhemi seriozë tani, nuk po them që ti shtoni vetes vuajtje, por thjesht të caktoni disa prioritete. Më mirë blini pak e saktë, sesa bli ç’të sheh syri e ço dëm.
Hartoni recetat që ju dhe familja juaj pëlqen, bëjeni kur të jeni të uritur se ju garantoj që do ju shpërthejnë idetë. Vendosini diku ku ti keni para syve, psh tek frigoriferi, dhe kështu do jeni më në kontroll të asaj që duhet të gatuani për të nesërmen.
Unë po ju lë tashmë pasi po përgatis listën e muajit të cilën do ë ndaj me ju nesër.
Mos harroni, planifikoni, shpenzoni me mend dhe do kurseni kohë dhe ato të shkreta para që s’na dalin asnjëherë.
Leave a Reply