Familja ime I filloi pushimet zyrtarisht ne fillim Gushti. Fatmirësisht për ne, ky muaj nisi me një kohë fatastike, me një det të nxehtë e pa dallgë fare. Rastësisht në një nga zhytjet e rradhës, im shoq gjeti ca vongole, kështu, doli I qeshur nga deti dhe mori varkën lodër të fëmijëve. E çuditur e pyeta se përse I nevojitej, por kur e pashë se çfarë nxori nga xhepi I rrobave të banjës u lumturova.
Thashë, tani nisu me mision dhe na siguro darkën ☺☺
Im bir kur pa gjithë skenën, rrëmbeu dhe ai syzet e zhytjes dhe u nis me të atin në gjueti vongolesh.
Si përfundim, gjuetia tre ditore u përkthye në dy darka të shkëlqyera makaronash me vongole, që të them të drejtën I shijova sa më s’ka.
Në një moment gjatë gjuetisë së tyre, vunë re një batërdi vongolesh në fund të detit, sikur dikush të kish bërë një gosti të madhe me to dhe kish lënë pas vetëm guackat. E në fakt kështu kish qënë, veçse shijuesi ishte një kërmill deti, të cilin e kapën befas në aksion hapje/ngrënie vongole .
Po si gatuhen kërmijtë është pyetja?
Nga kërkimet e mia në internet dhe brainstorming në zyrë, mora vesh që ky lloj kërmilli, tipik I mesdheut ishte I ngrënshëm. E kështu s’do shumë mend për të kuptuar që im shoq dhe im bir u nisën sërisht për gjueti, por kësaj rradhe për kërmij. Fati qe në anën e tyre, pasi zbatica e mëngjesit kish bërë që të dilte mbi ujë një rrip rëre e bashkë me të, plot vongole e ca nga kërmijtë vongole-ngrënës.
Edhe pse në 2018, mu duk vetja si në kohën e patriarkatit, ku burrat e shtëpisë dilnin për gjueti dhe gratë gatuanin hahahaha. Isha shumë e lumtur që në darkë kisha plot vongole dhe kërmij për të gatuar.
Unë përdora si recetë sugjerimin e Adda’s All, pra I zieva dhe I marinova në salcë me erëza, mgjt një ndjekëse në instagram më sugjeroi edhe një variant tjetër, me makarona që mund ta lexoni në postimin tim në instagram.
Kërmij deti të gatuar dhe spageti me vongole
Notes
Nisim me kërmijtë pasi kërkojnë më shumë kohë në gatim.
I shpëlajmë mirë me ujë të rrjedhshëm dhe më pas I ziejmë në ujë për rreth 25 minuta
Ndërkohë përgatisim salcën e erëzave duke grirë hudhrat dhe majdanozin dhe më pas I shtypim në havanë.
Shtojmë vajin e ullirit dhe lëngun e limonit dhe e rregullojmë shijen me kripë dhe piper.
E lëmë salcën mënjanë. Pasi kërmijtë të zihen, me ndihmën e thikës nxjerrim tulin e brendshëm dhe me kujdes heqim pjesën e fortë në bazën e tulit
I sistemojmë me kujdes mbi salcë dhe I lëmë të marinohen për 15 minuta
Ndërkohë në një tigan hedhim vaj ulliri, 1 thelpi hudhër dhe më pas vongolet e shpëlara. I vëmë kapakun tiganit dhe I lëmë të zihen deri sa të hapen. Shtojmë në të edhe domatet e copëtuara në kube dhe majdanozin e grirë.
Ziejmë makaronat në ujë të kripur sipas minutazhit në paketim dhe pastaj I kalojmë në tiganin e vongoleve dhe I trazojmë sa të bashkohen mirë me lëngun
I servirim makaronat dhe kërmijtë duke I shoqëruar me verë të mirë
Përbërësit
- Për makaronat me vongole
- 🔹️1 kg vongole të gjalla
- 🔹️250gr spageti të freskëta
- 🔹️2 domate tip San Marzano
- 🔹️1 tufë majdanoz
- 🔹️1thelpi hudhër
- 🔹️2 lugë gjelle vaj ulliri
- 🔹️Kripë, piper sipas dëshirës
- Për kërmijtë e detit
- 🔹️10-15 kërmij deti të gjallë
- 🔹️1 tufë majdanoz
- 🔹️5-6 thelpinj hudhër
- 🔹️3 lugë gjelle vaj ulliri
- 🔹️½ kokrre limon (vetëm lëngu)
- 🔹️Kripë & piper sipas dëshirës
Leave a Reply