Nuk e kisha menduar (epo jo kaq afër) që unë, një njeri që e dashuron ushqimin deri në detaj, do shkruaja në blogun tim që kam hyrë zyrtarisht në dietë për t’u dobësuar. Ja që paska një herë të parë për çdo gjë hihihi. Tani të them të drejtën e kisha menduar që do filloja dietën, por nuk do ta thoja publikisht, pasi një blog ushqimi dhe një rregjim frenues ushqimi nuk shkojnë me njëri tjetrin, apo jo?
Megjithatë, kur në një moment frymëzimi (apo nevoje për mbështetje ndoshta) hodha në instagram ditën e parë të dietës time, pata një lumë mesazhesh inkurajues nga ndjekësit e mi.
Blogu im (apo ditari im elektronik siç më pëlqen mua ta them) pasqyron një pjesë të mirë të realitetit tim, biles edhe ndodhi të miat familjare, ndaj për të vijuar me sinqeritetin që e karakterizon këtë blog, mendova të shkruaj edhe mbi atë çka po përjetoj unë tani.
SHUMË E RËNDËSISHME!!!!
Gjithmonë konsultohuni me një specialist para se të ndërmerrni iniciativën për të ndjekur një regjim dobësimi. Rregjimi im mund të mos jetë I përshtatshëm për ju (mund edhe t’ju ndikojë negativisht). Ndaj ato që unë kam ndarë në Instagram, ju lutem mos t’I merrni për kapital. Në fund të fundit unë jam këtu për t’ju dhënë ide gatimi dhe nuk kam as kompentencën më të vogël për të dhënë këshilla dobësimi.
E pasi e hoqa edhe këtë siklet nga vetja, po vijoj me blogun.
Pra, kur e ndan mendjen që ka ardhur pika ti thuash PRIT PAK gjërave që do hash, e mira është të fillosh me listën e pazareve që të duhen për dietën.
Një pjesë të gjërave I kisha në shtëpi ndaj vetëm furnizimi me perime ishte I domosdoshëm.
Harxhova rreth 1,500 Lek dhe bleva:
- Domate, Kastraveca, Qepë të njoma,Spinaq, Speca të kuq dhe jeshil
- Patate, Lulelakër, Brokoli, Avocado, Mashurka, Majdanoz e kopër
- Pjepër, Pjeshkë, Mollë jeshile, Limon
Si javë e parë që jam në dietë ndihem shumë mirë. Për këto arsye:
- E kisha ndarë mendjen që do e bëja (Faktori kyç)
- Kam ngrënë shumë shëndetshëm dhe kjo ndihet edhe në trup (Duhet të na bëhet stil jete kjo)
- Kam pirë shumë ujë ( duhet të dini që unë kam qënë një deve në raport me ujin dhe rritja e konsumit të ujit për mua është arritje e madhe)
Përsa I përket peshores, java e parë doli me sukses pasi kisha rënë 2kg, por kjo nuk do të thotë se pritshmëritë e mia do jenë kështu edhe në vijim ☺.
Për më shumë detaje ju ftoj të më ndiqni në Instagram .
Leave a Reply