Mini kekët e kripur janë një ide e shkëlqyer për t’u servirur në tavolinë. Një kombinim fantastik i specit të kuq të pjekur dhe djathit kaçkavall. Në eventin e TEDx këto mini kekë unë i servira në dy mënyra:
1. Versioni me paté ulliri
2. Versioni me krem maskarpone
Për mendimin tim versioni i parë ishte më i shijshëm sesa i dyti, mgjt mund të zgjidhni secilin opsion të dëshironi.
sasia 24 mini kekë
koha totale 50 minuta + 5 minuta përgatitja
PËRBËRËSIT
Për minikekët
- 60 ml vaj luledielli
- 120 ml qumësht
- 2 speca të kuq të pjekur dhe të qëruar
- 75 g kaçkavall i grirë jo shumë imët
- 1 lugë gjelle pluhur pjekës
- 2 kupa miell
- 2 vezë në temperaturë ambjenti
Për paté e ullirit
- 200g ullinj të zi pa bërthamë
- 1 lugë çaji kaperi
- 1 thelpi hudhër
- 1/4 kupë vaj ulliri
- 2 lugë gjelle lëng limoni
- 1 açuge në vaj (opsionale)
Instruksionet:
- Fillimisht përgatisni paté-në e ullirit. Në një blender të vogël hidhni tërë përbërësit përveç vajit dhe lëngut të limonit. Miksojini sa ulliri të copëtohet trashë.
- Shtoni vajin dhe lëngun e limonit dhe ndizni mikserin. Bluajini deri sa salca të bëhet homogjene.
- Hidheni në një kavanoz qelqi dhe ruajeni deri në momentin e servirjes.
Për minikekët:
- Ndizni furrën në 220°C. Në një tas të madh hidhni qumështin, vajin, vezët, kripën, specat e grirë dhe kaçkavallin. Trazojini me pirun sa të bashkohen.
- Shtoni miellin dhe pluhurin pjekës. Trazojini aq sa të bashkohen të gjitha
- Lyeni me gjalpë një tavë për mini kek me 24 vrima.
- Mbushini në 2/3 e lartësisë dhe piqini për gati 25 minuta ose deri sa të marrin ngjyrë të florinjtë.
Për servirjen:
Në ditën e eventit, shtoni nga një lugë çaji paté ulliri mbi çdo mini kek. Sipas dëshirës mund ta zëvëndësoni paté-në me krem maskarpone ose ti vendosni të dyja.
Shënim:
Përgatitjen e pjatës finale bëjeni gjithmonë pak para servirjes. Kjo recetë është mirë të konsumohet brenda ditës pasi kështu e ruan shijen më mirë.
Leave a Reply