Siç e kuptoni nga titulli receta quhet Role Tajlandeze sipas mënyrës time. Kjo sepse kam perdorur produkte që mund ti gjej këtu në Shqipëri. Në foto mund të kuptoni se kush janë petat e orizit që përdoren për këto role.
Mua më pëlqen të ha dhe mbi të gjitha të gatuaj gatime tradicionale të vendeve të tjera. Kur gatuaj të tilla ushqime, shpesh I modifikoj përbërësit në mënyrë që ti përshtas me shijet e fëmijëve të mi.
Më duhet të them që jam një mama me fat pasi fëmijët e mi hanë pothuajse çdo gjë, ndoshta sepse unë I kam gatuar atyre këto lloj gatimesh shumë herët, apo ndoshta atyre thjesht u pëlqen ushqimi, këtë nuk e di me saktësi 😂😂.
Herën e parë që bëra Role Tajlandeze nuk përdora makarona orizi (nuk i gjeta në market në atë kohë) dhe në fakt nuk më shijoi shumë peta mbështjellëse e orizit, ishte si pa shije dhe si llastik. Në ndryshim nga unë, fëmijëve u pëlqeu dhe më kërkuan ta ribëja edhe herë të tjera (3 herë të tjera pas kësaj), kështu që dhe mua filluan të më pëlqejnë.
Epo, ndoshta herën e parë unë nuk përdora makaronat e orizit dhe kjo ndikoi rrënjësisht në shijen e roleve ndaj ju sugjeroj që të mos e bëni këtë recetë pa to. Fatmirësisht në Shqipëri tashmë mund të gjenden këta përbërës edhe në supermarkete me një çmim të leverdisshëm.
Për këto Role Tajlandeze sipas mënyrës time ju këshilloj të përdorni këto salca shoqëruese.
Role Tajlandeze sipas mënyrës time
Përbërësit
- 🔹️8 peta orizi
- 🔹️1 pako makaronash orizi të holla
- 🔹️200 gr mish derri I grirë
- 🔹️3 qepë të njoma
- 🔹️2 lugë gjelle salcë soje
- 🔹️2 lugë çaji vaj susami
- 🔹️2 lugë çaji vaj ulliri
- 🔹️1 cm xhenxhefil I grirë
- 🔹️2 thelpinj hudhër të grira
- 🔹️1 tufë majdanoz
- 🔹️1 karrotë
- 🔹️1 spec të kuq
Instructions
- Mbushni një tas të thellë me ujë të nxehtë dhe vendosni makaronat për gati 20 minuta ose deri sa të zbuten.
- Në një tigan hidhni pak vaj ulliri dhe shtoni xhenxhefilin dhe hudhrën. Gatuajini në zjarr mesatar për pak sekonda deri sa të lëshojnë aromën e tyre.
- Shtoni mishin e grirë, vajin e susamit dhe skuqeni deri sa të zbutet mishi dhe të jetë avulluar lëngu i lëshuar. Shtoni salcën e sojës dhe vazhdoni gatimin edhe për 2 minuta të tjera.
- Prisni qepët e njoma dhe shtojini tek tigani, trazojeni mirë mbushjen dhe fikni zjarrin. (Qepët nuk duhet të skuqen shumë)
- Prisni karrotën dhe specin në fijë të holla dhe lerini mënjanë.
Tani fillojmë me përgatitjen e roleve
- Merni një pjatë të sheshtë dhe hidhni pak ujë të ftohtë. Zhysni në të 1 petë orizi për 2 minuta deri sa të zbutet. Kullojeni mirë dhe vendoseni mbi banak që ta mbushim.
- Në mes të petës vendosni një degë majdanoz.
- Këpusni me dorë një tufëz makarona orizi, kullojeni mirë dhe vendoseni mbi majdanozin.
- Shtoni mbi makarona 1 lugë gjelle mish dhe disa fije karrote dhe speci.
- Palosni petën e orizit duke filluar nga e majta, pastaj nga e djathta. Pastaj palosni anën e petës që është nga ana juaj duke mbuluar mbushjen. Rrotullojeni derisa ana e sipërme e petës të jetë ngjitur mirë.
- Vendoseni rolenë në një pjatë dhe mbulojeni me një picetë të njomë që të mos thahet.
- Përsëritni të njëjtin proçes edhe me 7 petët e mbetura.
- Nëse ju teprojnë mbushje, makarona orizi dhe perime, mos I hidhni. Vendosini të gjitha në tigan, shtoni dhe pak salcë soje dhe fërgojini deri sa të bashkohen mirë. Përdorini si shoqëruese anës pjatës së roleve.
- Shërbeni 2 role ne një pjatë dhe shoqërojini me salcat shoqëruese.
Leave a Reply