Byrek Me Grurë

Një ndër avantazhet e të jetuarit në Shqipëri është pikërisht toleranca fetare. Megjithëse jam ortodokse nuk do të thotë që nuk festoj edhe festat e feve të tjera, përkundrazi, festojmë po njësoj. Si psh meqënëse nesër në Shqipëri kemi festë zyrtare me rastin e festës së Sulltan Nevruzit (ose si i themi ne rëndom festa e ashures edhe pse kjo s’ka fare lidhje me festën e Sulltan Nevruzit), kemi arsyen madhore për të gatuar ashure që për hir të vërtetës është një ndër ëmbëlsirat më të këndshme që kemi, dhe për të shfrytëzuar sa më mirë grurin që do na teprojë. Në këtë postim nuk kam ndërmend të postoj recetë ashureje (ndoshta më vonë), por do të nxjerr një recetë byreku me grurë e djathë. Këtë recetë ma ka dhënë me shumë dashuri një komshija ime që e dua shumë shumë. Ky byrek ishte traditë e familjes së tyre për Pashkë,por që mendoj se mund të përdoret edhe për festën e Sulltan Nevruzit 🙂

PËRBËRËSIT:

  • 1 pako me petë të gatshme për byrek
  • 2 1/2 kupa grurë të zier (nëse zieni më shumë s’ka problem se e bëni ashure ose e hidhni në kos, ose sallatë, etj..etj…etj… 😂
  • 1 copë djathë (rreth 100gr ose më shumë në bazë të preferencave)
  • 2 lugë vaj ulliri
  • 1 tufë majdanoz
  • 100gr gjalpë të shkrirë
  • 250 ml qumësht për të lagur petët
  • 1 monedhe 100Lek e larë mirë dhe e veshur me qese transparente (për gallatë kjo 😂)

Sasia: për 4 veta

Koha totale: 1 orë 10 min

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Ngrohim furrën në 200°C.
  2. Hedhim grurin, djathin e thërrmuar, majdanozin e grirë, vajin e ullirit në një tas qelqi dhe i trazojmë mirë me lugë.
  3. Në një tavë pjekjeje, mundësisht nga ato prej qelqi me përmasa 25cm×25cm, hedhim pak fare vaj ulliri që mos të na ngjisin petët dhe shtrojmë dy peta byreku. I spërkasim sipër pak gjalpë, 2 lugë gjelle nga përzierja e grurit duke u kujdesur ta shpërndajmë mirë. Shtrojmë sërisht 2 peta byreku, e spërkasim mirë me qumësht kësaj rradhe që të lagen mirë, hedhim pak gjalpë dhe 2 lugë gjelle nga përzierja e grurit. E ripërsërisim këtë proçes deri sa të mbarojë gruri (Kujdes: sigurohuni që petat ti lagni mirë me qumësht). Midis këtij shtrimit të petëve fshihni lekun mirë e mirë. Petën e fundit e spërkasim mirë me gjalpë dhe qumësht që njomet plotësisht.
  4. E pjekim byrekun për 40 min afërsisht ose deri sa të piqet mirë poshtë dhe lart (prandaj këshillova tavë qelqi)
  5. Byreku është mirë të konsumohet i ngrohtë dhe mos bëni hile për të gërrmuar për lekun!

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading