Panine (pre-gels), një miks midis bagels dhe pretzel, ky kombinim solli këto panine të shkëlqyera. Unë kam një pikë të dobët që është pikërisht buka.
Një ndër kënaqësitë e mia të mëdha është dhe bërja e bukës vetë në shtëpi. Ky pasion lindi para 10 vitesh gati kur im atë më dhuroi 1 makinë bërëse buke. 5 bukët e para (ok, e pranoj, 10 bukët e para 😅) ishin një dështim total, ose nuk fryheshin, ose nuk piqeshin mirë, ose më dilte e thatë etj etj…
Si përfundim ia mora dorën dhe ende tani në 90% të kohës ne konsumojmë bukë të bërë në shtëpi. Në fakt nuk është ndonjë shkencë e madhe, thjesht hidh përbërësit në koshin e makinës dhe ajo e bën vetë punën, biles edhe në orën që do ti. Nejse që mos ngjajë sikur po i bëj reklamë makinës së bukës pasi nuk është ky qëllimi, po nxjerr 1 recetë paninesh ose Panine (pre-gels) i kam quajtur unë pasi janë një përzierje midis pretzels & bagels. Gjithashtu janë fantastike për ti bërë sanduiç për fëmijët për ti marrë me vete në shkollë.
Këto panine mund ti përgatisni edhe më përpara dhe ti ruani në ngrirje. Mjafton ti lini të ftohen mirë, ti paketoni me qese celofani dhe ti sistemoni në një qese me mbyllje zip. Para konsumit, mjafton ta ringrohni pak në furrë apo toster.
Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu
Panine (pre-gels)
Përbërësit
- Për brumin:
- 2 kupa ujë të vakët;
- 2 ½ lugë çaji maja pluhur;
- 2 lugë çaji sheqer;
- 1 ½ lugë çaji kripë;
- 6 kupa miell të bardhë;
- 2 lugë gjelle vaj ulliri;
- Për zierjen:
- 3 lugë çaji sodë buke;
- 3 lugë çaji sheqer;
- 3 litra ujë të nxehtë
Instructions
- Ngrohim furrën në 220° C.
- Në një tas të madh hedhim miellin, ujin e ngrohtë dhe të gjithë përbërësit e tjerë sipas listës.
- E punojmë brumin me dorë ose me mikser për gati 10 min deri sa të bëhet elastik dhe të shkëputet nga anët e tasit.
- E lyejmë tasin fare pak me vaj dhe lyejmë brumin me kujdes
- E mbulojmë me një picetë ose qese transparente dhe e lemë të vijë brumi për gati 1 orë
- Pasi të jetë dyfishuar, e godasim me një grusht të mirë në mes që ti nxjerrim ajrin e krijuar. Pastaj e ndajmë në 9 copa të barabarta.
- Me ndihmën e gishtit të madh dhe atij tregues i hapim një vrimë ne mes dhe me kujdes i japim brumit një formë unaze.
- E përsërisim këtë gjë me të 8 topthat e tjerë.
- I lemë paninet te fryhen edhe për 30 minuta të tjera
- Ndërkohë në një tenxhere të madhe hedhim ujin e nxehtë, sodën dhe sheqerin dhe i lemë të vlojnë.
- Pasi të ketë vluar uji hedhim paninet 3 e nga 3 duke i lënë të vlojnë për 1 min (në mes të kohës sigurohemi ti kthejmë paninet nga ana tjetër) i heqim me një lugë me vrima duke ia kulluar sa më mirë ujin dhe i vendosim në një tepsi të veshur me letër pjekjeje.
- Përsipër mund ti hidhni fara lulëkuqeje ose susami ose thjesht kripë të trashë I pjekim në furrë për gati 25min ose deri sa të kenë marrë një ngjyrë kafe të artë
Leave a Reply