Bakllava sipas recetës së mamit tim. Mendoja se të bëje bakllavanë ishte gjëja më e vështirë në botë. Nuk e di pse nuk e kisha tentuar kurrë. Ndoshta sepse mami im na e bënte gjithmonë dhe nuk ishte nevoja ta mësoja edhe unë. Mirëpo jeta nuk vjen asnjëherë si e mendojmë dhe kurrë në botë nuk do e mendoja që ime më do vuante nga demenca që do e largonte nga çdo gjë 😢.
Megjithatë, ky nuk është një postim për tu mërzitur, përkundrazi. Jeta kjo është me gjithë uljet dhe ngritjet e saj dhe duke parë anën pozitive, ne kishim ende recetën me shkrimin e mamit. Nisur nga kjo, së bashku me kunatën time, menduam që ta vijojmë traditën dhe këtë vit, të bënim këtë Bakllava sipas recetës së mamit tim. E bëmë kaq mirë pasi më në fund, pas 4 vitesh, ia dolëm të hamë bakllavanë ashtu siç ajo na e bënte ❤.
U mundova ta pjek ashtu si e piqte ajo, në ngjyrë lajthi të çelët. Receta është e thjeshtë por mendoj se dhe ajo për sherbetin është shumë kryesore ndaj ndiqni me vëmendje edhe atë.
Bakllava sipas recetës së mamit tim.
Përbërësit
- Për brumin:
- 🔸️ 6 vezë plus 2 të verdha
- 🔸️ 1 gotë vaj
- 🔸️ 1 gotë kos
- 🔸️ 1 kg miell
- 🔸️ pak kripë
- Mbushja:
- 🔸️ 800g arra të grira jo imët
- 🔸️ 3 lugë sheqer.
- Tjetër:
- 🔸️ 1 kg niseshte për hapjen e petave
- 🔸️ 1 kg gjalpë që do e tresim (gjalpi i tretur i përftuar del 800g pasi i është hequr shkuma dhe hirra)
- Sherbeti: (kur ta bëj do jua tregoj me video)
- 🔸️ 1kg sheqer
- 🔸️ 3 gota ujë
Instructions
- Zëmë brumin dhe e lëmë të pushojë për gati 1 orë. Unë fatmirësisht e zura me Panxhin tim (@kitchenaidalbania ) që na shpëtoi nga dhimbja e krahëve 🤭.
- Pasi brumi ka pushuar, e ndajmë në 6 pjesë dhe secilën prej tyre në 12 pjesë të vogla.
- Hapim 12 topthat e parë në formë disku. Përdorni shumë niseshte si për hapjen, ashtu dhe midis disqeve të petëve të hapura.
- Pastaj, i vëmë të 12 disqet në banak dhe i shtypim me okllai vende vende sa të ngjishen pak, dhe pastaj e hapim si një petë të vetme sa diametri i tavës.
- Shttojmë në tavë 12tshen e parë.
- Hapim njësoj 12tshen e dytë dhe e vendosim në tepsi.
- Tani shtrojmë ⅓ e masës së arrave.
- Hapim 12tshen e tretë njësoj si dy të parat veçse pasi ta shtrojmë në tavë, hedhim gjysmën e arrave të mbetura.
- Hapim 12tshen e katërt dhe sërisht hedhim arrat e fundit në tavë.
- Më pas do hapim dy 12tshet e mbetura dhe do i vendosim në tepsi.
- E presim bakllavanë bukur dhe sipër i hedhim gjalpin e tretur.
- Ndezim furrën në 120°.
- E pjekim bakllavanë 2 orët e para mbuluar me letër alumini dhe 3 orët e tjera pa letër.
- Sherbeti:
- Hidhni sheqerin dhe ujin dhe vereni të vlojë. Sapo sherbeti ka bërë shkumë, lereni të zihet deri sa bie shkuma dhe fikeni direkt. Kështu, ska për t’ju sheqerosur.
- Hidhjani sherbetin e nxehtë bakllavasë së ftohtë.
Leave a Reply