Disa statistika të nevojshme për planifikimin e pazareve. Kjo është tema që dua të ndaj me ju sot. Mendoj se mund t’ju orientojnë në mënyrën si të planifikoni saktë blerjet tuaja, si të caktoni një buxhet të përshtatshëm mujor. Edhe pse këtë temë e kam prekur edhe në këtë postimin këtu, mendoj se duhet ta zgjeroj pak me shumë.
Gjatë pyetjeve të ndryshme që kam bërë në Instagram, kam vënë re se ka një interes të madh mbi planifikimin e shpenzimeve për ushqime e produkte pastrimi. E në fakt, kush nuk do donte të shpenzonte sa më pak para. Ndaj mendova të përpunoj pak më shumë idenë e Pazare me Nevilën.
Nga INSTAT, bëhen anketime të përvitshme mbi shportën e konsumit familjar dhe dy pikat më interesante që kam nxjerrë janë si më poshtë:
SHPENZIMET MUJORE PËR KONSUM SIPAS TIPOLOGJISË SË FAMILJES
Sipas INSTAT, shpenzimet për një familje për ushqime dhe për shpenzime të tjera (që unë kam konsideruar për produkte pastrimi) janë përkatësisht 44% dhe 6.9% e totalit të të ardhurave mujore. Kështu secili prej jush, mund të shohë në tabelën më poshtë, në bazë të përbërjes së familjes sesa duhet të jetë shpenzimi mesatar mujor për ushqime e detergjentë. Sigurisht, do merrni në konsideratë të ardhurat tuaja mujore dhe jo statistikat e INSTAT. Pra nëse jeni një familje prej 4 personash, dhe keni të ardhura mujore rreth 80,000 Lek, do llogarisni 41,000 Lek si buxhetin tuaj mujor për të blerë ushqime e produkte pastrimi. Pikërisht këtë vlerë mesatare do caktoj si buxhet për pazaret e muajit Korrik dhe pazaret do t’i përqëndroj dy-tre herë në muaj maksimumi. Të shohim nëse do mund tia dalim.
Tipologjia e NjEF | 2018 | Shpenzime për ushqim 44% | Shpenzime për detergjentë 6.9% | Total |
---|---|---|---|---|
Person i vetëm | 46,146 | 20,304 | 3,184 | 23,488 |
Person i vetëm me fëmijë në varësi | 66,100 | 29,084 | 4,561 | 33,645 |
Dy të rritur pa fëmijë | 62,689 | 27,583 | 4,326 | 31,909 |
Dy të rritur me fëmijë | 79,680 | 35,059 | 5,498 | 40,557 |
Tre ose më shumë të rritur pa fëmijë | 82,802 | 36,433 | 5,713 | 42,146 |
Tre ose më shumë të rritur me fëmijë | 85,959 | 37,822 | 5,931 | 43,753 |
SHPENZIMET MUJORE PËR KONSUM SIPAS QARQEVE
Është e ditur që shpenzimet janë të ndryshme sipas qyteteve pasi dhe të ardhurat janë ndryshe. Rroga në Tiranë nuk është njësoj me rrogën në Gjirokastër apo qytete të tjera, e rrjedhimisht, dhe shpenzimet dhe çmimet janë të ndryshme sipas qyteteve. Ndaj, duhet ta mbani parasysh këtë kur të lexoni postimet e mia mbi pazaret javore. Nëse jeni kurioze, mund të shihni në tabelë se si janë shpenzimet mujore per një familje sipas qarkut, me atë rast kuptoni dhe kush qark është më kurrnaci ☺.
Qarku | Viti 2018 (shpenzime mujore) |
---|---|
Berat | 70,737 |
Dibër | 58,461 |
Durrës | 75,744 |
Elbasan | 63,847 |
Fier | 71,117 |
Gjirokastër | 66,238 |
Korçë | 74,319 |
Kukës | 66,326 |
Lezhë | 72,852 |
Shkodër | 73,441 |
Tiranë | 88,691 |
Vlorë | 68,227 |
Epo mund t’ju duket pak sikur kam bërë artikull gazete, por ndonjehere është e nevojshme të shohim disa shifra që të kuptojmë më mirë sjelljen tonë prej konsumatori.
Epo, le të bëhemi gati për pazaret e muajit Korrik.
Leave a Reply