Tani është koha e misrave dhe përveç kënaqësisë së shijimit të misrave të pjekur a të zier, kam edhe mundësinë e ruajtjes së lëkurave të kallirit për ti përdorur në vjeshtë për tamales. Kjo e fundit është një meze e këndshme me miell misri dhe e mbushur me mish të gatuar me salcë, djathë dhe perime, por për recetën do të prisni pak 😊.
Meqënëse në faqen time në facebook pata disa miq të interesuar se si bëhet tharja vendosa të bëj një postim të shkurtër.
PËRGATITJA:
Do ta nisja me një këshillë: nëse nuk gjeni dot misra të pazhveshur në treg atëhere bëni si unë, ndaloni tek ndonjë nga shumë shitësit ambulantë që tregtojnë misra të pjekura apo të ziera dhe tu kërkoni që t’iu mbushin një qese të madhe me lëkura misri. Unë kështu bëra duke qënë se nuk gjeta misra të freskëta në treg, ose më mirë them se gjeta mënyrën më të shkurtër për të siguruar lëkurat.
-
Filloni me seleksionimin:
Zgjidhni lëkurat të cilat nuk kanë njolla myku dhe që nuk janë shumë të trasha.
-
Tani e ka rradhën prerja:
Prisni skajet e lëkurave si në foto:
Pastaj mbushni një enë të madhe me ujë të vakët dhe vendosni në të lëkurat. Lerini aty për gati 10 minuta, kështu dheu që mund të gjendet në lëkurë do precipitojë në fund të enës. Shpëlajini nën ujë të rrjedhshëm një nga një të gjithë lëkurat.
Vendosini në një kullesë dhe lerini të kullojnë ujin e tepërt gjatë gjithë natës.
Të nesërmen, ndizni furrën në 60°C dhe vendosini lëkurat në dy tava mundësisht në një rresht të vetëm. Lerini në furrë me derën pak hapur për gati 1.5 orë. Ky proçes zhduk bakteret e mbetura në lëkura, ndryshe quhet proçes pasterizimi. Lëkurat do të rrotullohen paksa gjatë tharjes, por mos u shqetësoni pasi para gatimit ato do ti zhysim në ujë të nxehtë. Ruajini lëkurat e thata në një qese me mbyllje të fortë (qese zip)
Leave a Reply