Ka ditë kur nuk gjej frymëzim se çfarë të gatuaj gjatë darkave ose gjatë fundjavës, ose ka ditë të tjera kur jam shumë e frymëzuar për të gatuar, por nuk kam të gjithë përbërësit në shtëpi, shkurt muhabeti nuk na gjendet dermani asnjëherë☺.
Zakonisht kur vjen fundi i muajit dhe afron momenti i pazareve, ajo që bëj unë është inventarizimi i përbërsve që kam në shtëpi dhe se çfarë më nevojitet të blej. Kjo është një metodë shumë e mirë për të konsumuar ato që kam dhe të mos blej ushqime të cilat i kam me tepri në shtëpi, kështu evitoj edhe shpenzimin e tepërt edhe çuarjen dëm të ushqimeve. Këtë kontroll e bëj jo vetëm për ushqimet në dollap, por edhe për ato në frigorifer.
Gjatë një dite të tillë inventari vura re se në frigorifer kisha një pako me petë sfoliatë të gatshme dhe disa lëpjeta në sirtarin e perimeve të cilat i kisha pastruar, por kisha harruar ti gatuaja ☺
Aty mu ndez llampa e ideve, thashë përse të mos bëj një byrek të shpejtë me lëpjeta? Gjizë kisha, pak djathë gjithashtu, petat ishin gati ndaj iu futa punës.
Sasia: për 4 persona
Koha totale: 40 minuta
PËRBËRËSIT:
- 2 pako me peta sfoljatë (nëse i merrni të ngrira lerini në pjesën e sipërme të frigoriferit të shkrijnë)
- 500 gr lëpjeta
- 100gr gjizë
- 100gr djathë
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 vezë
- kripë
- Ndezim furrën në 250◦C
- Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe vendosim në të lëpjetat deri sa të zbuten pak dhe të nxjerrin ujin e tepërt, gati 10 minuta.
- I hedhim lëpjetat në një tas qelqi dhe në të shtojmë gjizën dhe djathin e thërrmuar. Rregullojmë me kripë nëse ka nevojë.
- Marrim petat sfoljatë dhe i ndajmë në dysh ( pra në 4 drejtkëndorë të barabartë)
- Hedhim gjysmën e mbushjes në njërin drejtkëndor duke lënë 2cm hapësirë nga të gjitha anët ku do të ngjiten me petën e sipërme.
- Lyejmë anësoret e petës me pak vezë të rrahur dhe i vendosim përsipër petën të cilën e kemi shpuar paraprakisht me pirun ose për një paraqitje të këndshme e presim me forma biskotash siç kam bërë unë në foto.
- Përsërisim hapat 5 & 6 edhe për 2 petët e mbetura.
- I lyejmë edhe përsipër të dy byrekët me vezën e rrahur dhe I pjekim në furrën e parangrouhur për gati 30 minuta (ose deri sa të marrin një ngjyrë kafe të florinjtë)
Leave a Reply