Për herë të parë këtë tavë e kam provuar në Pogradec ( Tushemisht për të qënë më e saktë). Kur na e propozuan si variant mu duk shumë e çuditshme pasi isha mësuar që tava e peshkut ishte o me qepë, o me patate e karrota, por me domate e uthull nuk kisha dëgjuar. Pasi e provova, thashë me vete, këtë variant duhet ta provoj se s’bën edhe në shtëpi pasi ishte shumë shumë e shijshme. Nuk doli tamam si e lokalit, por them se ia dola relativisht mirë.
Sasia: për 4 veta
Koha totale: 1 orë e 10 min
PËRBËRËSIT:
- 1 troftë (900gr) me tul portokalli
- 7-8 domate
- 7-8 thelpinj hudhër
- 200ml uthull molle
- 1 lugë çaji kripë
- 1 lugë çaji sheqer kaf
- 1 filxhan kafe vaj ulliri
- Ngrohim furrën në 250° C
- Ndajmë troftën në disa pjesë (e imja doli në 6 pjesë të mëdha) dhe i vendosim me kujdes në fundin e një tave dheu të madhe.
- Presim domatet në kuba dhe i hedhim në një tas qelqi. Shtojmë dhe hudhrat e copëtuara në të njëjtin tas.
- Shtojmë kripën, vajin e ullirit, sheqerin dhe uthullën e mollës në tasin ku kemi domatet dhe i trazojmë mirë me lugë.
- Ne fund ia hedhim sipër troftës dhe e sistemojmë mirë me lugë që disa nga pjesët e peshkut të dalin mbi domate.
- E vendosim tavën në fund të furrës dhe e lëmë që të piqet për gati 1 orë.
- Në varësi të llojit të domateve, në tavë mund të krijohet pak lëng, por që mund ta rregulloni shumë kollaj duke ngjyer në të koret e bukës 😂😂.
Leave a Reply