Ka një moment të çuditshëm kur sheh diçka dhe të duket kaq familjare. Jo sepse e ke parë diku tjetër… por sepse e ke menduar vetë.
Në fillim, nuk e kuptova menjëherë. Po pastaj duke e parë me vëmendje, pata atë ndjesi që nuk mund ta quaj as zemërim, as habi… po thjesht një “Hmmm… ok… kjo qenka e imja, por jo nga unë”
Nuk është hera e parë që ndodh. Fundja në botën online, idetë qarkullojnë shpejt. Frymëzimi është normal. Madje, ndonjëherë është edhe i bukur. E di, se jam gjendur vetë në këtë lloj frymëzimi. Poooooor, ekziston një vijë shumë e hollë midis frymëzimit dhe kopjimit…. dhe kur kjo vijë shkelet me të dy këmbët, nuk është dhe aq e bukur.
Një blog, sado ta kopjosh 100%, nuk është vetëm ajo që duket. Nuk e bën të suksesshëm mënyra si është ndërtuar, biles nëse nuk ke ide origjinale, nuk është i nevojshëm as pasja e një blogu të tillë.
Një blog është zëri. Është mënyra si i thua gjërat. Është ajo pjesë që nuk shkruhet me formulë.
Dhe pikërisht, kjo është arsyeja pse disa ide, edhe kur kopjohen shumë mirë, nuk jetojnë gjatë. Jo sepse nuk janë të bukura, përkundrazi, mund të jenë shumë të bukura, por kur mbillen në një tokë shterpë, rrezikojnë të mos lulëzojnë.
Kur gjërat lindin nga dikush tjetër, pa kaluar nëpër ty, mbeten thjesht në sipërfaqe. Nuk kanë atë lidhjen e padukshme që krijohet kur diçka është vërtet e jotja, ose dhe thjesht e përqafuar shumë mirë nga ana jote.
Në fillim mendova:
“Pse? Në morinë e miliona opsioneve, përse duhet të bëje diçka identike si e imja? Ta marr si kompliment? Vërtet e sheh si diçka të sukseshme dhe që ia vlen të kopjohet?”
Çfarë do të thotë kjo për mua? Përgjigja ishte fare e thjeshtë. Më kujtoi që ajo që po ndërtoj nuk është vetëm për t’u parë. Është për t’u ndjerë, dhe kjo, është diçka që nuk kopjohet lehtë.
Në fund, mund të marrësh një ide… por nuk mund ti japësh jetën që nuk është e jotja.
Kur idetë kopjohen…. por që nuk jetojnë gjatë. Në ditët e sotme flasim për të drejtat e autorit, por nga ana tjetër a funksionon vërtet?
Leave a Reply