Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Ndodh ndonjëherë që në shtëpi nuk kam mjaftueshëm përbërës për të gatuar një drekë të mirëfilltë, zakonisht afër fundit të muajit, kur afron data e pazareve 😂.

Megjithatë, me pak fantazi dhe pak përbërës kyç të dielën arrita të sajoj një drekë të shpejtë dhe shumë të shijshme.

Në dollapin e ushqimeve unë gjithmonë mbaj nga një kanoçe me fasule të zeza, të kuqe dhe ndonjë kanoçe me qiqra. Këto i mbaj për ti patur për kollaj kur dua të bëj ndonjë sallatë të ftohtë. Fatmirësisht, këto kanoçe i kisha ende në dollap, pashë që kisha pak pançetë (beikon) dhe pak djathë për pica. Mu dukën përbërës idealë për të mbushur ca patate të mëdha.

Sasia: 4 persona

Koha totale: 1 orë e 15 minuta

PËRBËRËSIT:

  • 4 patate të mëdha
  • 1 kanoçe me fasule të zeza
  • 2 kupë me djathë për pica (të grirë)
  • 10 shirita pançetë
  • 1 lugë gjëlle nga yndyra e pançetës.
  • Opsionale: kastraveca turshi ose speca pikantë turshi
  • Kripë, piper sipas dëshirës
  • Salca të ndryshme për ti shoqëruar (mustardë, majonezë, salcë ranch etj…)

 

  1. Ngrohni furrën në 250°C
  2. Lani mirë patatet që mos ketë asnjë mbetje dheu në lëkurë. Shpojini me pirun nga të gjitha anët dhe mbështillini me letër alumini
  3. Futini në furrë të parangrohur dhe lerini të piqen për gati 1 orë ose deri sa të jenë zbutur tërësisht.
  4. Në një tepsi të vogël shtroni shiritat e pançetës dhe futini të piqen deri sa të bëhen kërce. (Këshillë: mos e hidhni vajin e pançetës, thjesht mblidheni në një kavanoz qelqi dhe ruajeni në frigorifer. Do na duhet për gatime të tjera më vonë)
  5. Ndërkohë që patatet piqen, kulloni fasulet e zeza dhe prisni në feta kastravecin turshi ( nëse nuk do përdorni specin djegës)
  6. Pas 1 ore (ose kur patatet të jenë zbutur totalisht), hiqni patatet nga furra dhe ndajini në gjysëm për së gjati. Me ndihmën e një luge gjelle gërryeni patatet duke lënë rreth 1 cm tul perreth lëkurës. Tulin e patates hidheni në një tas të thellë.
  7. Në tasin e patates shtoni pak kripë, pipër, fasulet e zeza dhe yndyrën e pançetës. Trazojini mirë me pirun.
  8. Filloni mbushjen e patates duke hedhur nga dy lugë gjelle mbushje në çdo patate.
  9. Sipër çdo patateje hidhni disa copëza pançete dhe djathë pice (ndajeni djathin dhe pançetën në mënyrë të barabartë për çdo patate)
  10. Sistemojini në një tavë pjekjeje dhe rifutini në furrë për 10 minuta të tjera deri sa djathi të shkrijë.
  11. Pasi ti nxirrni nga furra, hidhni sipër patateve specat djegës ose kastravecin turshi dhe shoqërojini me salca të ndryshme dhe me një gotë birrë të ftohtë 😉


2 thoughts on “Patate të mbushura me fasule dhe pançetë”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *


Këtë e pëlqejnë %d blogues: