Role Me Fruta Pylli

Role Me Fruta Pylli

Para shumë kohësh zbulova në internet recetën për Cinnamon rolls (role me kanellë)  dhe që nga ai moment mbeten një ëmbëlsirë mëngjesi shumë e preferuar për mua. Kësaj rradhe vendosa ta provoj me reçel kajsie dhe fryta pylli të ngrira. Në fillim mendova se reçeli mund të digjej por dolën me shumë sukses. Më poshtë do të gjeni këtë recetë e cila për mendimin tim është shumë e mirë për mëngjesin e ditës së shtunë ose të diel, duke e shoqëruar me një gotë qumësht.

Për ata që nuk i preferojnë të ëmblat mund të zëvëndësoni reçelin me pak gjalpë dhe në vend të frutave të pyllit të përdorni djathë të bardhë , copëza ulliri dhe rigon.

Sasia: 12 role

Koha totale: 1 orë e 50 min

PËRBËRËSIT:

Për brumin

  • 120gr sheqer
  • 2 1/2 tsp maja
  • 250ml qumësht
  • 80gr gjalpë të tretur
  • 2 vezë
  • 550-600gr miell
  • 1/2 tsp kripë

Për mbushjen

  • 2 lugë gjelle reçel kajsie
  • 2-3 lugë gjelle boronica të ngrira (të kuqe dhe të zeza)

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Fillimisht ngrohim fare pak qumështin, hedhim sheqerin brenda dhe i spërkasim sipër majanë. Këtë e lemë 5min sa majaja të bëhet shkumë.
  2. Pastaj shtojmë vezët të rrahura pak, gjalpin, kripën dhe e trazojmë. Pak nga pak shtojmë miellin deri sa të lidhet.
  3. Brumi do dalë pak i ngjitshëm si në foto, por duke e punuar me dorë ose mikser do të lidhet shumë mirë.   
  4. E lyejmë pak enën me vaj dhe vendosim brumin duke u siguruar që të lyhet nga të gjitha anët me vaj. E mbulojmë enën me picetë dhe e lemë brumin të vijë për gati 90 min ose deri sa të dyfishohet në masë.   
  5. Ngrohim furrën në 180 ° C. Pasi brumi të ketë ardhur, i fusim një grusht të mirë për ti hequr ajrin e krijuar (mendoni dikë që keni inat ).       
  6. Me ndihmën e okllaisë e hapim në formë drejtkëndore (pothuajse), e lyejmë me reçelin e kajsisë dhe i hedhim sipër frytat e pyllit.  
  7. E rrotullojmë duke nisur nga ana më e gjatë dhe me ndihmën e një peu ose thike e presim në feta. Unë e shtrova brumin në një letër pjekje të cilën e përdora edhe për ti pjekur. Kështu evitojmë rrëmujën në kuzhinë.   
  8. I pjekim në furrën e parangrohur për 40 min ose deri sa të marrin ngjyrë si në foto.          jelly rolls

Roletë janë më të mira të konsumohen brenda ditës mgjth ruajnë të njëjtën butësi edhe të nesërmen nëse i ngrohni për 30 sekonda në mikrovalë.



Këtë e pëlqejnë %d blogues: